Lajme

Kjo është rezoluta që propozon Kurti – “Qeveria të ndërmarrë të gjitha veprimet, mos ta lejojë cenimin e sovranitetit”


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lexuar pikat e Rezolutës të cilën u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë për të treguar se në kundërshtim të mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, janë të gjithë bashkë.

Një nga pikat e rezolutës ka të bëjë me të drejtën dhe obligimin që ia jep Kuvendi Qeverisë që të ndërmarrë çfarëdo mase për ta ndaluar referendumin, rrjedhimisht shkeljen e sovranitetit.

“Ju ftoj që ta votoni një rezolutë për ta bërë të qartë se të gjithë jemi me të njëjtin qëndrim”, ka deklaruar Kurti duke shtuar se “nuk bën të shkelet mbi parimet që vetë i kemi vendosur”.

Rezoluta, siç e ka prezantuar Kurti, përmban tetë pika.

“Kuvendi shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit cenon sovranitetin dhe rendin kushtetuese”, thuhet në pikën e parë, duke vazhduar me “Kuvendi kërkon nga qeveria e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre që të mos cenohet sovraniteti” dhe “Kuvendi thekson përkushtimin për garantim e të gjitha të drejtave të qytetarëve të vetë”.

Me këtë frymë “Kuvendi afirmon të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi që të ushtrojmë të drejtën e votës”.

“Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës. Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj aksioneve destabilizese të Serbisë” dhe “Kuvendi pret mbështetje nga ndërkombëtaret për qasjen parimore”.

Rezoluta mund të pësojë ndryshime, varësisht nëse do të duan diçka të tillë deputetët e pozitës dhe opozitës që gjenden në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Më pas pritet votimi i rezolutës me plotësime.

Në seancë po marrin pjesë deputetët e Vetëvendosjes, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës, derisa ata të Partisë Demokratike të Kosovës e kanë bojkotuar seancën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore