Shqipëria

Kishin përshtatur lokalin për organizimin e lojës Poker, procedohen penalisht 7 shtetas


Në Himarë është finalizuar operacioni policor i koduar “Tavolina”, kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Sipas policisë, pronari dhe administratori i një lokali atje janë proceduar penalisht pasi kishin përshtatur lokalin për organizimin e lojës “Poker”.

Po ashtu bëhet me dije se janë proceduar penalisht pesë shtetas që u kapën duke luajtur në këtë lokal.

Sakaq, përpos këtyre është sekuestruar një tavolinë për lojën “Poker” dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Tanimë ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Q. Dh., 65 vjeç dhe M. K., 51 vjeç, të dy banues në Himarë.

Nga kontrollet, shërbimet e Policisë konstatuan se lokali në pronësi të 65-vjeçarit dhe që administrohej nga shtetasi M. K., ishte përshtatur për organizim të lojës së fatit “Poker”, në kundërshtim me ligjin.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë dhe për pesë shtetas të tjerë që u kapën duke luajtur në këtë lokal, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një tavolinë për lojën “Poker”, letra dhe çipsa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore