Lajme

Kisha Serbe: Të mos njihet pavarësia e Kosovës, as de fakto, as de jure


Asambleja e Kishës Ortodokse Serbe (KOS), përmes një komunikate për media ka bërë thirrje tek autoritetet serbe që të mos njihet në asnjë formë pavarësia e Kosovës, siç thonë nga kjo kishë “qoftë tërthorazi apo drejtpërdrejt”.

“Në seancat e Kuvendit të Shenjtë të Ipeshkvijve në të gjitha vitet e kaluara, Kisha jonë ka treguar qartë dhe pa mëdyshje, dhe në seancën e sivjetshme, tregon se pranimi i pavarësisë së Kosovës, drejtpërdrejt ose tërthorazi, de facto ose de jure, do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të drejtën ndërkombëtare, të vendosur në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe akte dhe parime të tjera përgjithësisht të zbatueshme”, thuhet në njoftimin e kishës serbe.

Ndërkaq, nga kjo kishë deklaruan se për “një gjë e tillë nuk e ka mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe as të shumicës së vendeve të botës, përfshirë pesë vendet e Bashkimit Evropian” që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Nga Kisha Ortodokse përdoren propagandën që bëhet nga zyrtarët e Serbisë, duke pretenduar se si pasojë e “sulmeve ndaj qytetarëve serbë” në Kosovë, “në shenjë proteste serbët u larguan nga institucionet e Kosovës”, në nëntor të vitit të kaluar.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është themeluar në përputhje me marrëveshjet tashmë të arritura dhe të nënshkruara me Kosovën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015”.

Po ashtu, ata pretendojnë se qëllimi i institucioneve në Kosovë “është që të krijojnë një Kosovë etnikisht shqiptare në të cilën vështirë se mund të ekzistojë një jetë e lirë dhe normale për serbët”.

“Me këtë rast, Kisha dënon gjithashtu të gjitha sulmet ndaj popullit serb, objekteve të shenjta dhe pronës së tij, veçanërisht sulmet e armatosura ndaj serbëve individualë, përfshirë fëmijët, si dhe listat sekrete në bazë të të cilave serbët, madje edhe ish-pjesëtarët e policisë së Kosovës arrestohen dhe ndalohen”, propagandojnë nga Kisha serbe.

Përkundër se bënë thirrje që të mosnjihet pavarësia e Kosovës, nga Kisha Serbe potencuan se e mbështesim dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se “Kisha Ortodokse Serbe dëshiron të japë kontributin e saj në zhvillimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëpunimit me kishat dhe bashkësitë e tjera fetare dhe të marrë pjesë aktive në krijimin e kushteve, për jetën e lirë dhe të sigurt të popullit serb dhe shqiptar, si dhe të gjitha bashkësive fetare e kombëtare në Kosovë dhe kudo në botë”.

“Kisha Ortodokse Serbe gjithmonë ka avokuar që të gjitha problemet në Kosovë të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe me dialog, si dhe që gjithmonë t’i shërbejnë qëllimit të bashkëjetesës paqësore të serbëve, shqiptarëve dhe të gjithë popujve të tjerë që jetojnë në atë zonë”.

Gjithashtu, ata treguan përsëri se janë kategorikisht “kundër ndarjes së Kosovës nga Serbia”, edhe pse Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008.

“Kisha është kundër çdo ndarjeje të Kosovës nga Serbia, Kuvendi u bën thirrje shqiptarëve dhe serbëve që vështirësitë që kanë t’i zgjidhin në frymën e tolerancës”.

Ndryshe, Kisha Ortodokse Serbe për gjatë gjithë historisë ka qenë shtyse e politikave ekspansioniste serbe.

Ajo ka shërbyer për t’i glorifikuar krimet dhe masakrat që Serbia i ka bërë mbi popujt e tjerë në Ballkan, në mënyrë që të i shtynin përpara idetë e tyre fashiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore