Lajme

Kisha a papërfunduar – Mosmarrëveshja e Madhe mes Kosovës e Serbisë


Kisha e papërfunduar në kampusin e Universitetit të Prishtinës

Kisha e cila është e ndërtuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit të Milosheviçit, qe tre dekada është një simbol i fuqishëm i mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo kishë duhet të shkatërrohet”, thotë Jahir Islami, duke kujtuar kështu kohën e dhimbshme të së kaluarës së përgjakshme të Kosovës, raporton, agjencia e lajmeve franceze, AFP, trasnmeton mediumi francez, France 24.

“Kosova” shkruan AFP, “është shtëpia e disa prej manastireve më të rëndësishme të Kishës Ortodokse Serbe”.

Sipas mediumit francez mosmarrëveshjet mbi tempujt fetar mbetet pika ndezëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, pasi fati i atyre i kishave në Kosovë pengon përpjekjet për të arritur një marrëveshje ndërmjet tyre.

Megjithatë kisha e papërfunduar në kampusin universitar në kryeqytet i përket një historie më të re dhe brutale.

Zyrtarët e Institucioneve të Kosovës kanë akuzuar prej kohësh Beogradin për përdorimin e Kishës Ortodokse si përfaqësues, me klerin që vepron si emisarë në terren duke infiltruar vullnetin e Serbisë.

“Ata jo vetëm që kanë kryer krime kundër trupave tanë, por edhe kanë dashur të fshijnë historinë tonë, të sulmojnë identitetin tonë, të zbatojnë projektin e tyre të spastrimit etnik të Kosovës”, ka thënë për AFP Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Hajrullah Çeku – Ministër i Kulturës

Ndërsa në anën tjetër Petar Petkoviç, drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, për AFP ka thënë se më shumë se 135 kisha dhe manastire në Kosovë janë shkartuar që nga viti 1999.

Pretendime të ngjashme janë bërë edhe nga pala shqiptare, të cilët thonë se më shumë se 200 xhami janë dëmtuar ose shkatërruar nga forcat serbe në mes të periudhave të spastrimit etnik.

Tensionet janë rritur vazhdimisht për statusin e ardhshëm të kishave ortodoks të Kosovës, prej nga ardhja në kryeministri të Kryeministrit, Albin Kurti.

Në qershor të këtij viti anëtarët e Kishës Ortodokse Serbe mbajtën një shërbesë të rrallë liturgjike brenda kishës së papërfunduar, duke shkaktuar protesta.

Fotografia e shkrepur nga ceremonia e litutgjisë brenda kishës së papërfunduar në kampusin e Universitetit të Prishtinës, në qershor të këtij viti

Edhe pse tensionet për këtë çështje shpërthejnë ndonjëherë, shumë banorë në Prishtinë thonë se nuk duan që kisha të rrënohet, por të shërbejë si një memorial për të kujtuar të kaluarën e trazuar të Kosovës.

“Ndoshta ky objekt mund të shndërrohet në objekt kulturor dhe të ndihmojë në ndërtimin e besimit mes shqiptarëve dhe serbëve”, thotë Nexhmi Statovci, për AFP.

“Le të mos e shkatërrojmë atë, por ta përdorim atë për gjëra pozitive dhe jo negative”, ka përfunduar ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore