Lajme

Kina po forcon kufizimet në industrinë e videolojërave


Kina do të nxjerrë rregulla të reja që do të kufizojnë sasinë e parave dhe kohës që njerëzit mund të shpenzojnë në videolojëra.

Kufizimet kanë për qëllim kufizimin e blerjeve në lojë dhe parandalimin e sjelljes obsesive.

Sakaq, projektligji është një goditje për tregun më të madh në botë të lojërave online, i cili është ende duke u rikuperuar nga një goditje e mëparshme.

Lajmi bëri që aksionet e gjigantëve të teknologjisë të bien duke hequr dhjetëra miliarda dollarë nga vlera e tyre.

Kufizimet e planifikuara përsërisin gjithashtu një ndalim “të përmbajtjes së ndaluar të lojërave në internet që rrezikon unitetin kombëtar dhe sigurinë kombëtare ose dëmton reputacionin dhe interesat kombëtare”.

Pekini u zhvendos për herë të parë kundër sektorit të lojërave në vitin 2021, duke vendosur që lojtarët në internet nën moshën 18 vjeç të lejohen të luajnë vetëm për një orë të premteve, fundjavave dhe festave.

Por grupi i fundit i kufizimeve shkon më tej.

Lojërat në internet nuk duhet të ofrojnë shpërblime që i tërheqin njerëzit të luajnë dhe të shpenzojnë tepër, duke përfshirë ato për hyrjet ditore dhe plotësimin e llogarive me fonde shtesë.

Kështu ka bërë me dije rregullatori i industrisë, Administrata Kombëtare e Shtypit dhe Publikimeve (NPPA).

“Heqja e këtyre stimujve ka të ngjarë të zvogëlojë përdoruesit aktivë të përditshëm dhe të ardhurat nga aplikacioni, dhe përfundimisht mund t’i detyrojë botuesit të rishikojnë rrënjësisht dizajnin e tyre të lojërave dhe strategjitë e fitimit të parave”, ka thënë Ivan Su, një analist në Morningstar.

Efekti i goditjes

Kina është tregu më i madh në botë i lojërave dhe Tencent është lideri global në këtë sektor sa i përket të ardhurave.

Kompania dominon tregun aziatik dhe ka investuar në studiot e lojërave në të gjithë botën.

Pas njoftimit, çmimi i aksionit të Tencent ra me 12.4 për qind.

Nënkryetari i Tencent Games, Vigo Zhang, ka thënë se Tencent do të zbatojë rreptësisht çdo kërkesë të re rregullatore.

Draft rregullat e reja nuk kanë devijuar nga fokusi i vazhdueshëm i rregullatorëve për t’u siguruar që kompanitë të kenë “modele të arsyeshme biznesi”, ka thënë ai.

Po ashtu ka shtuar se të miturit kanë shpenzuar një nivel historikisht të ulët parash dhe kohe në lojërat e Tencent që nga viti 2021, kur mbrojtja e lojtarëve më të rinj u bë fokusi i Pekinit.

Konsulenti i lojërave Daniel Camilo ka thënë se kufizimet mund të ndikojnë në ato lloje të “modeleve të fitimit të parave”, të cilat më pas do të duhet të ristrukturohen dhe :disa nga lojërat mund të duhet të tërhiqen nga dyqanet”.

Megjithatë, Camilo mendon se Tencent do të rikuperohet në planin afatgjatë.

Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kompanitë më të vogla të lojërave.

“Nëse një kompani e vogël preket në disa miliona, atëherë mund të nënkuptojë se ata duhet të mbyllin dyert e tyre”, ka thënë ai.

“Viti 2023 ka qenë një vit plot pushime nga puna dhe shumë përpjekje veçanërisht për industrinë e lojërave në Kinë. Kështu që kjo është një lloj goditje e rëndë do të thosha, veçanërisht për botuesit e mesëm dhe më të vegjël”.

Rregullat e reja të qeverisë për lojërat do të përshpejtojnë gjithashtu procesin e dhënies së dritës jeshile të lojërave në vend duke u kërkuar rregullatorëve të përpunojnë miratimet brenda 60 ditëve.

Botuesit e lojërave do të duhet të strehojnë serverët e tyre që përpunojnë dhe ruajnë të dhënat e përdoruesve në Kinë, dhe jo diku tjetër.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore