Lajme

Kina ofron 31 milionë dollarë ndihmë për Afganistanin


Kina ka ofruar 31 milionë dollarë ndihmë për Afganistanin, ku ato do të ndahen edhe për të siguruar doza vaksinash dhe ushqime.

Kjo lëvizje e Pekinit zyrtar vjen si një përpjekje për të mbajtur lidhjet me Qeverinë e re talebane, të sapoformuar.

Sipas kinezëve, establishmenti i Qeverisë së përkohshme talebane është një hap i nevojshëm për të rivendosur rendin në Afganistan.

Zyrtarisht, ai tashmë njihet si Emirati Islamik i Afganistanit.

Nga ana tjetër, SHBA-të janë larg bisedimeve me rebelët afganë.

Për sa kohë kjo qasje amerikane vazhdon, Kinës i lihet hapësira e duhur për të vepruar. Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, deklaroi të mërkurën se do të ketë ndihmë për afganët.

Kjo do të vijë në bashkëveprim edhe me vendet fqinje, si: Pakistani, Irani, Tajikistani, Uzbekistani dhe Turkmenistani.

Një ndihmë e veçuar do të jetë edhe ajo me 3 milionë doza të vaksinave kundër COVID-19.

Kritika të shtuara ka pasur edhe me tërheqjen e amerikanëve. Sipas Pekinit zyrtar, kjo ka shkaktuar tollovi në Kabul dhe më gjerë.

“Ajo që SHBA-të bënë në dy dekadat e shkuara, janë shembulli konkret i pasojave që vijnë kur do të imponosh një ideologji të caktuar mbi një tjetër”, u tha nga një zëdhënës për shtyp i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Pala talebane, e ka cilësuar Kinën si partnere thelbësore për rindërtimin e një shteti në rënie. Ndërsa përpjekjet e Pekinit për afrim, kanë qenë edhe më të hershme.

Përpara marrjes së kontrollit nga talebanët, Kina ftoi përfaqësuesit e lartë afganë për bisedime në korrik 2021.

Ndihmë ekonomike dhe mbështetje iu ofruan Qeverisë së atëhershme afgane.

Por, përtej përpjekjeve kineze, ata kanë hasur vështirësi në pasjen e qasjes brenda Afganistanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore