Lajme

Kina dhe mijëra projektet e padëshirueshme hidroenergjetike


Drejt arritjes së qëllimit ambicioz për t’u bërë neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2060, Kina po përpiqet të heqë ekonominë e saj masive prej thëngjillit dhe karburantet fosile.

Mirëpo, agjencia e lajmeve, “Bloomberg”, ngre pyetjen se pse Kina po përpiqet të mbyllë deri në 40 mijë hidrocentrale.

Përgjigjja e kësaj pyetje nuk është edhe aq e lehtë për t’u dhënë, ajo qëndron thellë në historinë e trazuar të kombit në përpjekjen për të kontrolluar lumenjtë e vet.

Që prej vitit 1950 kur Mao Ce Dun i nxiti punëtorët të “pushtojnë natyrën”, vendi ka ngritur diga të mëdha dhe të vogla me një ritëm të lartë. Kjo për të gjeneruar energji, për të zbutur përmbytjet dhe për të siguruar vaditje për fushat dhe ujë të pijshëm për qytetet.

Ndërsa efektet e kësaj politike, shpesh kaotike, po kthehen pas.

Në vend, një pjesë e madhe e digave janë shumë të vogla për të gjeneruar sasi domethënëse të energjisë. Kurse të tjera janë kthyer në të tepërta pasi lumenjtë e tyre u thanë, rezervuarët u mbuluan me baltë ose u zëvendësuan nga digat e ngritura në rrjedhën e sipërme.

“Për një kohë të gjatë, njerëzit menduan se ishte humbje të lejosh lumin të ikë para teje pa bërë asgjë”, ka thënë Wang Yongchen, themeluesi i Green Earth Volunteers, një organizatë joqeveritare me qendër në Pekin që fokusohet në mbrojtjen e lumenjve.

Një nga projektet më të njohura të hidrocentraleve të hershme të vendit i ndodhur në një periferi perëndimore të Pekin-it, po kthehet në një vend turistik. Punëtorët janë të zënë duke shtruar rrugë dhe duke zbukuruar shtëpitë në një “rrugë të lashtë biznesi” pranë stacionit Moshikou.

Kjo ish-qendër industriale e Pekin-it, e ndërtuar në vitin 1956, ka qenë hidrocentrali i parë i madh i automatizuar i projektuar dhe ndërtuar në mënyrë të pavarur. Ai u ndërtua në një kanal devijimi të “lumit amë” të Pekin-it, Yongding, burimi kryesor i ujit të pijshëm në kryeqytet derisa uji u ndot shumë në vitet 1990.

Lidhur me Moshikou, kurrë nuk e ndali zyrtarisht funksionimin. Thjesht ndaloi gradualisht prodhimin e energjisë, një viktimë e përkeqësimit të thatësirave në veri të vendit dhe rritjes së kërkesave për ujërat nga qytetet dhe fshatrat në rrjedhën e sipërme që ndërtuan qindra barriera për të korrur ujin e tij.

Sipas mediave lokale kineze, u ndërtuan më shumë se 80 projekte të ruajtjes së ujit vetëm në rajonin e Pekin-it.

Deri në vitet 2010, lumi thahej mesatarisht 316 ditë në vit.

“Moti në Pekin ka ndryshuar”, ka thënë Jin Chengjian, 60-vjeçari që e kaloi gjithë jetën në rrethin Shijingshan. “Si fëmijë, unë notoja shpesh në kanalin e devijimit pranë stacionit. Tani, uji bëhet gjithnjë e më i paktë, akoma dhe më i ndotur”.

Afërsia e Moshikou me kryeqytetin i ka dhënë asaj një jetë të re, por shumë nga digat e vjetra të Kinës nuk kanë qenë kaq me fat. Në fshatin Weizishui, 90 minuta me makinë nga rrjedha e sipërme, një digë betoni 68 metra e lartë, u përfundua në vitin 1980 për të kontrolluar përmbytjet. U deshën gjashtë vjet për ta përfunduar dhe nuk hyri asnjëherë në punë.

“Planifikim i keq”, ka thënë një nga fshatarët në vend, 75-vjeçari Gao. “Mund të shembet një ditë, kështu që unë kurrë nuk i afrohem shumë”.

“Bloomberg” tregon se shkalla e tërbimit të Kinës për ndërtimin e digave është e vështirë të kuptohet. Deri në fund të vitit 2017, lumi më i gjatë i Kinës, Yangtze dhe degëzimet e tij kishin më shumë se 24 mijë hidrocentrale të shpërndarë në 10 provinca. Dhe thuajse 930 prej tyre, u ndërtuan pa një vlerësim mjedisor.

Kryesisht gjatë përmbytjeve të verës, shumë nga digat e vjetra paraqesin kërcënime serioze për sigurinë.

Sipas Ministrisë së Burimeve Ujore të Kinës, 3 mijë e 515 rezervuarë shpërthyen midis viteve 1951 dhe 2011. Ato përfshijnë digën famëkeqe Banqiao në provincën Henan, e cila së bashku me 61 diga të tjera, u thye pas gjashtë orësh vërshimi të rrëmbyeshëm në gusht të vitit 1975, duke lënë të vrarë 240 mijë njerëz.

Në Kinë, digat ende dështojnë.

Në fillim të këtij viti, dy prej tyre në Mongolinë e Brendshme i hapën rrugë shiut të madh. Në përmbytjet e kësaj vere që vranë më shumë se 300 njerëz në Henan, ushtria paralajmëroi se diga Yihelan “mund të shembet në çdo kohë”.

Poashtu edhe kritikat se digat e mëdha dhe rezervuarët e tyre po kontribuojnë gjithnjë e më shumë në dëmtimin e mjedisit, kanë vërshuar. Ato ndryshojnë rrjedhën e lumenjve, zhytin habitatet dhe dëmtojnë larvat e peshqve.

Paçka këtyre, Kina vazhdon të ndërtojë projekte të mëdha uji, duke përfshirë projektin hidroenergjetik 16GW Baihetan që u hap në kohë për 100 vjetorin e Partisë Komuniste Kineze këtë vit.

Megjithatë, qeveria ka thënë se dëshiron të ndalojë zhvillimin e atyre më të vegjëlve. Në Planin e 13-të Pesëvjeçar për industrinë e hidrocentraleve duke filluar nga viti 2016, qeveria ka deklaruar për herë të parë se do të “kontrollonte rreptësisht zgjerimin e hidrocentraleve të vegjël” për të mbrojtur mjedisin.

Në vitin 2018, pasi Xi vizitoi rajonin Yangtze dhe malet Qinling në veriperëndim dhe bëri thirrje për mbrojtje më të mirë të mjedisit, nisi një fushatë kombëtare për të hequr ose përmirësuar 40 mijë hidrocentrale të vegjël.

“Lumenjtë tanë janë tepër të shfrytëzuar pas dekadave të ndërtimit pa planifikimin e duhur”, ka thënë Ma Jun, drejtor i Institutit të Çështjeve Publike dhe Mjedisore.

Mirëpo, përkrahësit e hidrocentraleve janë të mendimit se nevojitet më shumë, jo më pak, për të ndihmuar në largimin e vendit nga energjia e karburantit fosil. “Provincat po zbatojnë qasjen dhe zyrtarët e konsiderojnë prishjen e një sasie të madhe të projekteve si një arritje në karrierën e tyre”, ka thënë Zhang Boting, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Shoqërisë Kineze për Inxhinierinë Hidroenergjetike.

“Nuk duhet të jetë kështu. Ne duhet të heqim së pari projektet e thëngjillit, jo hidrocentralet, të cilat i duhen Kinës për t’u bërë neutrale ndaj karbonit”, ka shtuar ai.

Sipas “Bloomberg”, problemet nuk marrin fund këtu. Një tjetër është se kush do të paguajë për të hequr qafe projektet e padëshiruara. Mbyllja e një hidrocentrali është një gjë, por heqja e një dige, veçanërisht e një strukture të madhe dhe potencialisht e rrezikshme se është prej betoni, është një projekt i madh inxhinierik.

Në provincën Shaanxi, qarku Zhouzhi në veriperëndim, i detyrohet mbi 100 milionë juanë një kompanie që ra dakord të prishë tre stacione hidro. Të ardhurat e qarkut për gjysmën e parë të vitit 2020 ishin vetëm 135 milionë juanë dhe ka 26 hidrocentrale të tjerë që duhet të hiqen.

Në shumë vende, për shkak të kostove të prishjes, vetëm turbinat hidroelektrike janë hequr. Digat kanë mbetur po aty.

“Kina ka përfituar shumë nga dekadat e projekteve të ruajtjes së ujit”, ka thënë Ma, nga Instituti i Çështjeve Publike dhe Mjedisore. “Ndoshta është koha që industria të paguajë për restaurimin e mjedisit”.

Dhe ca nga projektet gëzojnë financimin dhe vëmendjen e qeverisë për Moshikou, atraksionin e ardhshëm turistik, i cili është pjesë e një brezi të lumit Yongding që po ndërtohet nga Pekin-i.

Kurse rezervuari Sanjiadian është mbushur përsëri, jo sepse lumi Yongding është rikuperuar, por për shkak të një projekti të devijimit të ujit prej afro katër miliardë dollarësh për të “rivendosur mjedisin ekologjik”. Uji vjen nga Lumi i Verdhë, rruga ujore e dytë më e gjatë e vendit. Por ai është edhe një nga shtretërit më të stresuar të ujit në vend dhe ka tendencë të thahet.

“Qeveria ka shpenzuar shumë para, por vetëm për të zgjidhur problemet sipërfaqësore, për ta bërë lumin të duket i mirë, në vend që të trajtojë ekosistemin”, ka treguar Wang. “Ne nuk duhet të zgjidhim problemin e një lumi duke bërë presion mbi një lumë tjetër që është gjithashtu në telashe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore