Lajme

KGJK dorëzon tek Avokati i Popullit kërkesën për referimin e Ligjit për Paga në Kushtetuese


Gjykata Kushtetuese.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka bërë të ditur se ka dorëzuar tek Institucioni i Avokatit të Popullit, kërkesën për inicim të procedurës për kontrollin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-196 për pagat në sektorin publik.

Lajmin e ka bërë të ditur KGJK-ja përmes një komunikate për media.

“Këshilli konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik është në kundërshtim me Kushtetutën, me Ligjin Nr. 06/L-054 për Gjykatat, rekomandimet e Këshillit të Evropës mbi pavarësinë e gjyqësorit, Opinionin e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 203/19”, thuhet në komunikatë.

Me këtë arsyetim KGJK ka kërkuar nga Avokati i Popullit që të marrë veprimet që duhet.

“Këshilli kërkoj nga Avokati i Popullit që në kuadër të kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore të ndërmerr veprime të nevojshme për adresimin e kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)

Më 23 janar, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Avokati i Popullit që në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe ligjore të referojë Ligjin për Paga në sektorin publik në Gjykatën Kushtetuese.

Përmes një komunikate për media nga KPK-ja ishte thënë se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga cenohet pavarësia dhe funksionalizimi i sistemit prokurorial.

Edhe, Bashkimi Evropian kishte shprehur shqetësimin për disa dispozita të Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Pagat dhe njëkohësisht ka shprehur zhgënjimin që Kuvendi i Kosovës nuk i mori parasysh sugjerimet e tyre dhe ekipit të ekspertëve nga OECD/SIGMA.

Qëllimi i komenteve dhe sugjerimeve të BE-së, ishte udhëzimi dhe mbështeja për qeverinë rreth sigurimit të një një shërbimi civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem kompensimi transparent e të bazuar në merita.

Ligji për Zyrtarët Publikë, sipas shqetësimeve të BE-së, opozitës dhe shoqërisë civile, cënon punën e administratës publike dhe politizon zyrtarët publikë pasi që pranimi në detyrë i nëpunësve civil, mbështetet mbi baza partiake.

Ndryshe, në seancën e Kuvendit, pavarësisht thirrjeve të opozitës, deputetët kishin miratuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjin për Pagat.

Projektligji për Zyrtarët Publikë kaloi në lexim të dytë, ku 58 deputetë kanë votuar për, kurse katër kanë abstenuar ndërsa me 63 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër, votuan Ligjin për Pagat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore