Kosova

BE: Ligji për Zyrtarët Publikë ka probleme, të zhgënjyer që s’u morën parasysh sugjerimet tona


Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për disa dispozita të Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Pagat dhe njëkohësisht ka shprehur zhgënjimin që Kuvendi i Kosovës nuk i mori parasysh sugjerimet e tyre dhe ekipit të ekspertëve nga OECD/SIGMA.

“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cënueshëm ndaj politizimit”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Qëllimi i komenteve dhe sugjerimeve të BE-së ishte udhëzimi dhe mbështeja për qeverinë rreth sigurimit të një një shërbimi civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem kompensimi transparent e të bazuar në merita.

“BE-ja angazhohet në dialog të vazhdueshëm me autoritetet për të gjitha aspektet e reformës së administratës publike pasi ky është një parakusht kyç për integrimin në BE dhe thelbësor për funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për popullin e Kosovës”.

Shqetësimi i BE-së në lidhje me me miratimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë është se nuk është në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Gjithashtu, në reagim thuhet se me miratimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Pagat, mund të rivlerësohet ndihma e BE-së në fushën e reformave të administratës publike si parakusht drejt integrimit në BE .

Ligji për Zyrtarët Publikë, sipas shqetësimeve të BE-së, opozitës dhe shoqërisë civile, cënon punën e administratës publike dhe politizon zyrtarët publikë pasi që pranimi në detyrë i nëpunësve civil, mbështetet mbi baza partiake.

Ndryshe, në seancën e fundit, pavarësisht thirrjeve të opozitës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjin për Pagat.

Projektligji për Zyrtarët Publikë kaloi në lexim të dytë, ku 58 deputetë kanë votuar për, kurse katër kanë abstenuar ndërsa me 63 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër, votuan Ligjin për Pagat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore