Sport

Kessie: Ndodhem në klubin më të mirë në botë


“Ndodhem në klubin më të mirë në botë. Nëse të thërret Barcelona, është e vështirë që ta refuzosh ftesën”, këto ishin fjalët e ish-futbollistit të Milan-it, Franck Kessie.

Ai u transferua gjatë kësaj vere në klubin katalanas me parametra zero, pasi që nuk deshi ta rinovojë kontratën me Milan-in.

Në një prononcim për media, 25-vjeçari ka thënë se se ndihet mirë te Barcelona dhe klubi spanjoll është bërë shtëpia e tij e dytë.

“Mikpritja për mua ka qenë mjaft e ngrohtë. Gjithçka po shkon shumë mirë, me stafin dhe shokët”, tha fillimisht mesfushori nga Bregu i Fildishtë.

“Të gjithë më kanë pritur shumë mirë, Barcelona është kthyer shtëpia ime e dytë. Ky klub është krijuar për të fituar”, shtoi ai.

“Kanë ardhur shumë lojtarë të rinj, do të bëjmë më të mirën tonë për të realizuar objektivat tona. Stafi punon shumë mirë”, tha Kessie.

“Ekipi ka një identitet të qartë loje: qarkullim topi dhe shumë teknikë. Kemi lojtarë shumë të mirë në ekip, të gjithë janë tepër të aftë e të talentuar”, deklaroi ish-mesfushori i Milan-it.

Kujtojmë që Kessie kaloi pesë vite te skuadra e Milan-it, që kur u transferua nga Atalanta. Në vitin e fundit ai arriti ta fitojë titullin kampion në Serie A, sukses ky që i mungonte kuqezinjve që 11 vite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore