Sport

Kessie ende shpreson që Barcelona t’i kalojë grupet


Barcelona është me një këmbë drejt eliminimit në Ligën e Kampionëve.

Spanjollët aktualisht gjenden në vendin e tretë të Grupit C me katër pikë, tre më pak se Inter-i i vendit të dytë, ndërsa tashmë kualifikimin e ka siguruar Bayern Munich me 12 pikë, nga aq të mundshme.

Ky klasifikim do të thotë se Barcelona ka pak gjasa për ta arritur kualifikimin, por futbollisti i tyre, Franck Kessie, nuk e mendon të njëjtën gjë.

“Ekipi është i mërzitur pas asaj që ndodhi në Ligën e Kampionëve, por tani jemi në rrugën e duhur”, tha Kessie për Sport.

“Xavi dhe stafi i tij dinin të rrisin besimin tonë, duke u përgatitur mirë për ndeshjet në vijim. Kualifikimi në raundin tjetër është i vështirë, por jo i pamundur. Unë dua që tifozët të vazhdojnë të besojnë”, tha shkurt Kessie.

Kujtojmë që Barcelona do të përballet me Bayern Munich-un këtë të mërkure, me bavarezët që tashmë janë kualifikuar për në fazën e 1/8-ve të finales.

Megjithatë, Inter-i do të ballafaqohet fillimisht me Viktoria Plzen me fillim nga ora 18:45 në “San Siro” dhe në rast se ata fitojnë ndaj çekëve, atëherë edhe fitorja eventuale e Barcelonës ndaj Bayern-it do të jetë e pavlefshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore