Sport

Kessie: Bëra atë që më blenë për ta bërë


Franck Kessie ka hyrë në ditët e fundit të kontratës së tij me Milan-in dhe nga sezoni i ardhshëm do të jetë futbollist i Barcelonës.

Ai nuk arriti marrëveshje me kuqezinjtë për ta vazhduar kontratën, andaj do të largohet me parametra zero.

Një futbollist kyç në mesfushën e kampionëve të Italisë, i cili ishte shumë i rëndësishëm në sukseset e klubit të tij.

Pas arritjes së suksesit me klubin italian, të cilët para pak ditësh fituan Scudetto-n, Kessie tani ka folur për largimin e tij nga Milano.

“Kanë qenë pesë vite shumë të rëndësishme ku u lidha me një projekt. Jam shumë i lumtur për qytetin, për klubin, për shokët e skuadrës, për trajnerin, për mua dhe për te gjithë familjen”, tha Kessie për Canal +.

“Ky është muaji i fundit i kontratës sime këtu, por në këto pesë vite kemi arritur të kthehemi në Champions League dhe të fitojmë Scudetton. Unë kam bërë atë që jam blerë për të bërë dhe mendoj se nuk ka mënyrë më të mirë për të thënë lamtumirë”, shtoi mes tjerash mesfushori.

Pra, pas pesë vitesh, mesfushori nga Bregu i Fildishtë do t’iu thotë lamtumirë shokëve të skuadrës.

Ai u transferua në Milan në verën e vitit 2017 nga Atalanta për shumën e 30 milionë eurove.

Gjatë kësaj periudhe, Kessie ka zhvilluar në total 224 ndeshje me “djallin”, ku ka shënuar 39 gola.

Kujtojmë që Milan-i e konsideronte të pashitshëm Kessie-n, për të cilin refuzoi shumë oferta të majme.

Por, palët në fund nuk arritën akordin për vazhdimin e bashkëpunimit, andaj Kessie në ditët e ardhshme do të largohet nga Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore