Lajme

Këshilltari i Konjufcës: Ka deputetë që kanë shpenzuar mbi 25 mijë euro për derivate


Ilir Kërçeli, Shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Nuk tregon emrat por thotë se ka deputetë të Kuvendit të Kosovës, që shpenzuan shifra marramendëse për derivate.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Ilir Kërçeli, ka reaguar në lidhje me shpenzimet e deputetëve për derivate.

Ai, ka thënë se ka deputetë që kanë shpenzuar mbi 25 mijë euro për derivate, e janë tërhequr nga këto siç i ka quajtur ai, beneficione, tek tani pasi rasti u bë mediatik.

“Ka deputetë të cilët kanë shpenzuar mbi 25 mijë euro për derivate, pa dashur paragjykuar se a jetojnë në Prishtinë apo jo, më mirë e dinë qytetarët”.

“Dhe kanë hequr dorë nga këto beneficione tek këto ditë kur është bërë kjo temë”, është shprehur Kërçeli me një shkrim në llogarinë e tij në Facebook.

Më tej, ai thotë se listat e fundit të deputetëve për shpenzimet e derivateve nuk janë korrekte, sepse sipas tij, kjo dukuri nuk është trajtuar prej fillimit.

“Këto shpenzime të krijuara për deputetët e Republikës së Kosovës, nuk janë të paraqitura saktë dhe me korrektësi”.

“Në listat e publikuara në publik disa deputetë u paraqiten si kampion të shpenzimeve të derivateve, pa u trajtuar kjo dukuri që nga fillimi i saj prej vitit 2011, por thjesht duke piketuar vetëm disa muaj nga 10 vitet e kaluara. Pra vetëm muajt nëntor dhjetor të vitit 2021”, ka thënë tutje Kërçeli.

Në fund, Kërçeli u mor me këshilla për mediet, duke i porositur se kur një temë të jetë me interes atëherë lë të trajtohet nga zanafilla.

Listës së publikuar të shpenzimeve i prinë deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj dhe ajo nga radhët komunitetit boshnjak Duda Balje.

Të dytë kanë shpenzuar nga 870 euro për derivate për muajt nëntor-dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërkaq deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllza Hoti, 810 e pasuar nga Albana Bytyqi e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 780 euro të shpenzuara.

Nga shpenzimet e publikuara shihet se më së shumti kanë harxhuar deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni.

Ndërkaq për këto shpenzime ka reaguar në Facebook Jusuf Ulaj, i cili është këshilltar për shëndetësi në kabinetin e kryeministrit Albin Kurti.

“Shumë nga ne që në Lëvizjen Vetëvendosje jemi për parime dhe ndaljen e të këqijave në këtë vend, presim reflektim nga Grupi Parlamentar që na përfaqëson! Shpenzimet në karburante duhen sqaruar dhe ndalur”, ka shkruar Ulaj në Facebook.

Shpenzimet e secilit deputet për karburante gjatë kësaj periudhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore