Lajme

Kërkohet paraburgim për njërin nga kirurgët e dyshuar për marrje ryshfeti


Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë është duke kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e masës së paraburgimit  për mjekun Ekrem Sefiu i cili dyshohet për marrje ryshfeti në Spitalin e Vushtrrisë “Sheikh Zayed”.

Lajmin për Albanian Post, e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Kurse theksoi se i dyshuari Arsim Latifaj është liruar, derisa i dyshuari i tretë Isuf Zekaj është ende në kërkim policor.

“I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt, ndërkaq personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar ende pasi që ende nuk është arrestuar”, deklaroi Preteni për Albanian Post.

Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kishte ndaluar për 48 orë dy mjekët e spitalit në Vushtrri të cilët dyshohen të kenë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Edhe spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri kishte njoftuar se dy doktorë janë arrestuar pas pretendimeve se janë përfshirë në një aferë korruptive.

Në njoftim është bërë e ditur se të njëjtit janë suspenduar edhe nga puna.

Edhe Policia e Kosovës, të martën ka konfirmuar për Albanian Post se janë arrestuar dy kirurgë nën dyshimin për marrje ryshfeti, pas raportimeve se kishin marrë para për t’i kryer operimet.

“Mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Mitrovice-Jugu, ka arrestuar dy persona me dyshimin e bazuar për marrje ryshfeti, përderisa personi i tretë mbetet në kërkim policor”.

Nga ky institucion është thënë se veprimet e tjera do të merren në koordinim me organet e drejtësisë.

Arrestimi i tyre vjen pas raportimeve të “Gazetës Shneta”, ku është thënë se tre kirurgët janë të përfshirë në një skandal të korrupsionit, të cilët dyshohet se kishin kërkuar para për të kryer operacione në këtë spital.

Ky rast, ishte iniciuar nga gazetari Bujar Vitija në Policinë e Kosovës më 3 tetor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore