Lajme

Kërkohet paraburgim ndaj serbit që u arrestua pasi iu gjetën mbi 6 mijë fishekë


Ilustrim.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj J.Zh (42 vjeç), i cili u arrestua nën dyshimin se gjatë një kontrolli nga ana e zyrtarëve policorë, në veturën e tij janë gjetur rreth 6 mijë e 300 fishekë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Valon Preteni.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për personin e arrestuar, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, deklaroi Preteni për AP.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfiskimin e 6 mijë e 300 fishekëve nga ana e Policisë së Kosovës, e ka cilësuar si një tjetër fitore për sundimin e ligjit.

Policia e Kosovës, të martën ka ndaluar një automjet me targa të Serbisë në fshatin Jashanicë të Komunës së Leposaviqit, me ç’rast ka konfiskuar 6 mijë e 300 fishekë të kontrabanduara nga Serbia.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës i dyshuari për këtë rast, një shtetas serb, është arrestuar dhe është dërguar në ndalimin për 48 orë.

Për operacionin e suksesshëm të Policisë së Kosovës, një ditë më vonë është lavdëruar i pari i ekzekutivit duke thënë se Qeveria e Kosovës “ka zero tolerancë për trafikimin e armëve dhe lëndëve narkotike, krimin e organizuar dhe çdo përpjekje për të mbështetur dhunën ose konfliktin – kudo në territorin e Kosovës”.

Përveç Kurtit, aksionin e Policisë së Kosovës e ka përshëndetur edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas tij përderisa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, flet për armatosjen e Serbisë dhe blerjen e dronëve, në Veri të Kosovës konfiskohen 6 mijë e 300 copë municione të kontrabanduara nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore