Lajme

Kërkesa diskriminuese për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, flasin nga Ministria e Arsimit


Zyra e Avokatit të Popullit

Avokati i popullit, një ditë më parë publikoi Raportin ‘Ex officio’ në lidhje me ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Përfshirjen e Fëmijëve në Institucione Parashkollore në Kosovë, pasi Udhëzimi aktual nuk është i qartë me parimet bazë për barazi gjithëpërfshirës dhe zhvillim të gjithanshëm të personalitetit të fëmijëve.

Avokati i Popullit konstatoi se kërkesa për prindërit që të paraqesin kontratat e punës për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore është diskriminuese dhe trajtim i pabarabartë para ligjit.

Lidhur me këtë, një ditë më parë pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka folur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo ka thënë se pranimi i fëmijëve në çerdhe shtetërore përmes legjislacionit në fuqi është rregulluar në mënyra të ndryshme nëpër komunat e Kosovës.

Por, “jemi në finalizim të një grupi punues i cili do të shqyrtojë dhe do të nxjerrë një draft dokument për organizimin e gjithë edukimit në fëmijërinë e hershme duke qenë se është prioritet i joni”.

“Presim që ky grup punues të nxjerr një draft dokument i cili duhet të miratohet dhe detajet në lidhje me ofrimin e mundësive për përfshirje në edukimin e hershëm, gjegjësisht në çerdhe dhe në kopshte, rishikimin e standardeve ekzistuese, kurrikulave, regjistrimin e tyre në çerdhe dhe punës që duhet të bëhet me fëmijë, pra në tërësi me edukimin e hershëm”, ka thënë Nagavci.

Sipas Avokatit të Popullit, ky udhëzim administrativ, nuk ofron siguri juridike, alternativa të qarta dhe të përballueshme për fëmijët me dëmtime të rënda, në mënyrë që ata t’i gëzojnë të njëjtat të drejta si të gjithë fëmijët e tjerë, më specifikisht të drejtën e fëmijëve për arsim, për mos diskriminim dhe për interesin më të mirë të tyre.

Gjithashtu, Avokati i Popullit vërejti se vendosja e këtij prioriteti nga disa komuna ka ardhur nga mungesa e kapaciteteve dhe e burimeve për të akomoduar numrin e madh të aplikimeve me gjithë vullnetin e tyre për t’i përfshirë të gjithë fëmijët pa dallim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore