Lajme

Kërcënimet e Serbisë, Kurti: Na bëjnë të kujdesshëm, assesi të frikësuar


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shteti që ai udhëheqë e ka të qartë se fqinji verior, pra Serbia, është agresiv, mirëpo një e gjë e tillë, kreu i ekzekutivit ka theksuar se “na bënë të kujdesshëm, assesi të frikësuar”.

Këto komente, Kurti i ka bërë në inaugurimin e Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë, ku ka deklaruar se është i vetëdijshëm për rrezikun e sigurisë në Ballkan e Evropë, por një gjë të tillë, sipas tij, më së miri e dinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo deklaratë e Kurtit ka ardhur, pasi që është pyetur për raportin që të hënën u publikua nga Komuniteti i Inteligjencës Amerikane për vlerësimin e sigurisë, ku kanë paralajmëruar se gjatë vitit 2024 mund të ketë rritje të rrezikut për konflikte ndër-etnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, madje u përmendën edhe tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën Veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.

“Konfliktet nuk janë nder-etnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jo demokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm ne lindje të Evropës janë në rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse ShBA nuk mund ta di askush”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit theksoi se ajo çfarë “bëjmë ne është që ne përgatitemi maksimalisht për atë çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”.

Pos kësaj, kryeministri foli edhe për investimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Pata nderin bashkë me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, të shoh edhe këta 15 kamionë multifunskional të firmës gjermane që i kemi përfshirë tashmë në FSK”, shtoi ai, derisa bëri me dije se 10 prej tyre janë blerë me buxhet të shtetit dhe 5 të tjera janë donacion.

“Pra ky është partneritet që po bëjnë edhe marrim donacion edhe blejmë në mënyre që integriteti territorial, sovraniteti e siguria qytetareve të jetë e pacenueshme. Ne e kemi pas të qartë që fqinj jonë verior është agresivë është nevrik mirëpo kjo na vënë të kujdesshëm, assesi të frikësuar”, pohoi.

Çka thuhet në raportin e intelegjencës amerikane?

Në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëron ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin edhe gjatë vitit 2023.

Në raportin e intelegjencës amerikane gjendet një referencë e shkurtër mbi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj trupave të Forcës së NATO-s në vend (KFOR) në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, duke alarmuar se përgjatë vitit mund të pritet edhe një skenar i ngjashëm sikurse në vitin 2023.

Gjithashtu, ndonëse nuk përmendet drejtpërdrejtë, sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar dhe u plagosën dy të tjerë, përfshirë tre nga anëtarët e grupit paramilitar serb, gjenë gjithashtu referencë në raportin e intelegjencës amerikane mbi vlerësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.

“Ballkani Perëndimor – ndoshta – do të përballet me një rrezik të ngritur të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024 […] Përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë çuar në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s në vitin 2023”, u tha në raport, duke veçuar përpjekjet e Rusisë për t’i shtuar tensionet.

“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionin për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) ose në institucionet euroatlantike”, alarmon tutje raporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore