Lajme

Raporti i inteligjencës amerikane përmend përplasjet në veri, alarmon për përshkallëzim të dhunës në vitin 2024


Ilustrim

Në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëron ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin edhe gjatë vitit 2023.

Në raportin e intelegjencës amerikane gjendet një referencë e shkurtër mbi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj trupave të Forcës së NATO-s në vend (KFOR) në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, duke alarmuar se përgjatë vitit mund të pritet edhe një skenar i ngjashëm sikurse në vitin 2023.

Gjithashtu, ndonëse nuk përmendet drejtpërdrejtë, sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar dhe u plagosën dy të tjerë, përfshirë tre nga anëtarët e grupit paramilitar serb, gjenë gjithashtu referencë në raportin e intelegjencës amerikane mbi vlerësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.

“Ballkani Perëndimor – ndoshta – do të përballet me një rrezik të ngritur të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024 […] Përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë çuar në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s në vitin 2023”, u tha në raport, duke veçuar përpjekjet e Rusisë për t’i shtuar tensionet.

“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionin për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) ose në institucionet euroatlantike”, alarmon tutje raporti.

Ndryshe, në vazhdimësi paralajmërohet se perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndëretnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Një vit nga “marrëveshja historike” që “hallakati” veriun e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore