Lajme

Një vit nga “marrëveshja historike” që “hallakati” veriun e Kosovës


Ilustrim

Në vitin 2023, bashkësia e organizuar ndërkombëtare kuptoi se duhej ta shtynte përpara dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi para se të bëhej tepër vonë, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë. Nën hijen e realiteteve të reja gjeopolitike, diplomatët perëndimorë u përpoqën të nxisnin palët drejt pranimit të një marrëveshjeje kompromisi të negociuar.

Kjo rezultoi në propozimin e marrëveshjes së iniciuar nga Franca dhe Gjermania – dy vendet kryesore të Bashkimit Evropian (BE) – e cila dukej se bazohej në modelin e Marrëveshjes Bazë të nënshkruar midis dy Gjermanive në vitin 1972 që rezultoi në njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të dy vendet.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç supozohet se e pranuan marrëveshjen më 27 shkurt në Bruksel të Belgjikës. Pastaj u arrit një dakordim për planin e sekuncimit të marrëveshjes më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, marrëveshjes i mungon një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë.

Marrëveshja e Brukselit ofron njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare. Dy fqinjë armiqësor që assesi të dalin nga konflikti, do të shkëmbejnë misione të përhershme dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt integrimeve evropiane. Serbia, po ashtu, u zotua se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Kosovë, në këmbim, do t’i formalizohej statusi. Në një mënyrë më elegante është pranuar edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, duke siguruar “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit” për komunitetin serb që përbën shumicën në pjesën veriore të vendit. Por, përgjatë rrugës situata u përkeqësua.

Kryeministri Kurti vazhdoi të bllokojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përkundër thirrjeve të BE-së që të lëvizë në këtë drejtim, ndërsa presidenti Vuçiç u përball me kritika të ashpra në Serbi, veçanërisht nga partitë opozitare të krahut të djathtë. Propozimi “franko-gjerman” u bë një “vijë e kuqe” për nacionalistët në të dy anët e kufirit.

Një konflikt i madh shpërtheu në pjesën veriore të Kosovës kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë që pastaj u egërsuan duke lënduar rëndë mbi 100 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s.

Policia e Kosovës vazhdoi të arrestonte kriminelët serbë të veriut, ndërsa Serbia u përgjigj duke arrestuar tre policë të Kosovës më 14 qershor në vijën kufitare, duke i akuzuar se kishin hyrë ilegalisht në territorin e Serbisë. Kështu, ekzekutivi kosovar vendosi embargo ndaj mallrave serbe. Sëkëndejmi, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë gati sa çuan në luftë.

Një “konflikt i ngrirë” arriti pikën kulmore më 24 shtator, kur disa paramilitarë serbë të armatosur rëndë, nën udheheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Sërpska, Millan Radoiçiç, sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit në veri. Në vend u vra një polic kosovar dhe u plagosën dy të tjerë, ndërsa tre nga anëtarët e grupit terrorist gjithashtu gjetën vdekjen.

Dialogu pritej të hynte në fazën përmbyllëse dhe marreveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi planifikohej të arrihej në kryeqytetet evropiane në fund të ’23-ës, por ngjarjet e fundit, përveç se dëshmuan për brishtësinë e paqes, treguan gjithashtu se nuk është arritur asnjë progres drejt normalizimit të marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

Kjo atmosferë e nxehtë në marrëdhëniet midis dy vendeve tashmë është bërë normë dhe pritet të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2024. Një vendim i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё territorin kosovar, shtroi shtresa të reja në rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë tutje, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo Kosova dhe Serbia do të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore