Kosova

Keqpërdorimi me rezervat shtetërore, LDK kërkon krijimin e një Komisioni Hetimor


Arben Gashi

Shefi i grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në një konferencë për media ka bërë në dije se me fillimin e sesionit të ri të parlamentit të Kosovës, kjo parti do të kërkojë që të krijohet një komision parlamentar për hetimin e keqpërdorimeve të mundshme të rezervave shtetërore nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pas publikimeve të audio-incizimeve.

“Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, në mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor të parlamentit të Kosovës, do të kërkojmë të formohet një komision hetimor për abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore”, tha Gashi.

Përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit, pohoi ai, “ne konsiderojmë që të kemi hetime të domosdoshme parlamentare për të parë nga afër se a janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore”.

“Duhet të kuptojmë të vërtetën se si janë menaxhuar rezervat shtetërore, të kuptojmë se cila është procedura që është ndjekur, të kuptojmë se a janë hapur tenderët për rezervat shtetërore, nëse po si kanë shkuar, nëse jo pse jo”, theksoi ai.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së potencoi se nëse këto kontrata janë klasifikuar si shtetërore, “cila është forma që është përdorur për tu vlerësuar si sekrete”.

“Si dhe pse janë klasifikuar si të tilla”, pyeti ai, duke shtuar se “kush dhe si e ka menaxhuar këtë proces, që nga fillimi deri në fund”.

Tutje, kryeshefi i deputetëve të LDK-së vlerëson se “po jetojmë në një kohë kur kriza po e mbulon krizën, kur dështimi po e mbulon dështimin, kur shkelja kushtetuese po e mbulon shkeljen paraprake, ndërsa shkelja e ligjit, po ashtu po e mbulon shkeljen paraprake, dhe çdo gjë përcillet me afera”.

“Keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale me aferat eventuale, pikërisht me produktet esenciale kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore”.

Ndryshe, siç u dëgjua në përgjimet e publikuara nga mediumi Nacionale, të mbështetura nga burime të AP-së brenda ministrisë, Hajdari disa herë i kishte thirrur në kabinet zyrtarët e Drejtorisë së Financave dhe të Rezervave Shtetërore për t’iu kërkuar t’i kryenin pagesat, përkundër se potencialisht kundërligjshëm.

Të gjithë ju kishin bindur, përjashto zyrtarin certifikues, Enver Hajrullahu, që kishte refuzuar me arsyen se nuk ka bazë ligjore, sepse nuk ishte tërë sasia e grurit.

AP kishte mësuar se sasia e grurit që nuk ka ardhur është 9 mijë kilogram, që përkundër që kanë kaluar më shumë se 1 vit, kjo sasi nuk ka arritur.

Në një moment ministrja Hajdari në mënyrë të kundërligjshme kishte kërkuar nga zëvendësuesi i sekretarit të MINT, Arber Gegaj (tashme i shkarkuar) që të merrte masa ligjore ndaj Enver Hajrullahut dhe atë pa ju shmangur veprimit kundërligjor, përmes e-mailit.

Kujtojmë se Ligji për Shërbyesit Civil, e ndalon ndërhyrjen e ministrit në administratën civile, sepse punët janë të ndara.

AP po ashtu mësoi se këto e-maila janë të ruajtura në dosjen e Prokurorisë që tashmë këtë lëndë është duke e hetuar.

Drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, duke rënë nën presionin e ministres Hajdari, kishte kërkuar që të kryhen pagesat nga Hajrullahu, por ky i fundit sërish e kishte refuzuar, duke i kërkuar dëshmi që gruri që do të paguhet është në sasinë e porositur.

Presionet vetëm sa ishin shtuar, derisa në një moment Hajdari e merr në telefon në prezencë të të gjithë zyrtarëve të financave dhe të Departamentit të Rezervave, drejtorin e thesarit për t’i kërkuar sqarime në lidhje më këtë pagesë.

Drejtori i thesarit fillimisht i jep të drejt ministres Hajdari, ndërsa Hajrullahu kërkon fjalën për të ndërhyrje për t’ia sqaruar, mirëpo Hajdari duke e fyer nuk e lejon të flas.

Në një moment Hajrullahut i jepet fjala për t’ia sqaruar situatën drejtorit të thesarit. Pasi e jep sqarimin Hajrullahu, drejtori i thesarit i del në krah Hajrullahut dhe kërkon nga ministrja që të shpërblehet, meqë e ka ruajtur buxhetin e shtetit.

Në atë moment Hajdari zmbrapset nga kërkesa e saj kundërligjore dhe e liron Hajrullahun nga certifikimi i kësaj pagese. Pagesën më vonë e certifikon një zyrtare tjetër.

Hajrullahu për shkaqe shëndetësore, për t’iu nënshtruar një operimi, kërkon pushim pa pagesë, që deri në atë moment nuk i aprovohej.

Kujtojmë se ligji për rezervën shtetërore, parasheh që vend ndodhja e rezervës është sekret, mirëpo jo edhe procedurat e prokurimit. Shmangia nga këto procedura ishte bërë me vendim të kryeministrit.

Shpjegim në detaje – Çfarë shkelje ligjore i kërkoi të kryente zyrtarit Enver Hajrullahu ministrja Rozeta Hajdari

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore