Muzikë

Këngëtari me prejardhje shqiptare përfaqëson përsëri Zvicrën në Eurovision 2021


Transmetuesi kombëtar zviceran-gjerman SRF (Schweizer Radio und Fernsehen) ka zbuluar projektin përfaqësues të Zvicrës në edicionin e sivjetshëm të festivalit të këngës, Eurovision 2021.

Siç edhe u lajmërua një vit më parë, shqiptari, Gjon Muharremaj, për publikun i njohur me nofkën Gjon’s Tears, do ta përfaqësojë Zvicrën në “Eurovision 2021”, edicion ky i cili do të mbahet në Roterdam të Holandës.

“Tout l’univers” titullohet kënga që këngëtari 22-vjeçar, Gjon’s Tears, do ta këndojë në këtë kompeticion të këngës.

Gjon’s Tears do të performojë në pjesën e dytë të gjysmëfinales, me 20 maj të këtij viti.

Kjo është hera e dytë që këngëtari po e merr përsipër përfaqësimin e shtetit zviceran në garën më të madhe evropiane të muzikës.

Në vitin 2020 për herë të parë në historinë e Zvicrës në “Eurovision”,  është vendosur që shteti të përfaqësohet nga një këngëtar me prejardhje shqiptare, si dhe po atë vit pas më shumë se 10 vjetësh, shteti zviceran zgjodhi një këngë franceze drejt kësaj gare.

Por për shkak të periudhës pandemike me koronavirusi, Eurovison 2020, u anulua dhe kështu gara nuk u mbajt, e as Gjon nuk pati mundësinë të konkurroj duke performuar në skenën gjigande të këtij festivali.

Vitin e kaluar, muzikanti Gjon’s Tears, me këngën e tij “Répondez-moi”, u zgjodh si fitues nga një panel i përbërë prej 100 anëtarëve të audiencës dhe një juri ndërkombëtare që përfshiu 20 ekspertë të muzikës.

Ndryshe, Gjon Muharremaj është një këngëtar zviceran me origjinë mes Kosovës dhe Shqipërisë, i lindur më 29 qershor të vitit 1998.

Gjatë adoleshencës së tij, ai mori pjesë në shfaqje të ndryshme televizive në Shqipëri dhe Francë.

Në vitin 2019, gjatë sezonit të tetë të “The Voice” në Francë, Gjoni “joshi” katër anëtarët e jurisë me versionin e tij personal të “Christine” nga Christine dhe The Queens, duke arritur të bëhet pjesë e gjysmëfinales të kësaj gare.

Më pas, ai lëvizi artistikisht drejt Zvicrës duke formuar grupin e tij: “Gjon’s tears and the weeping willows ” të përbërë nga pesë djem;  Gjon, Gaëtan, Martino, Pascal dhe Samuel.

Gjatë verës së vitit 2019, Gjon falë qëndrimit të tij në “The Voice”, bashkë me grupin e tij u bë pjesë në disa festivale zvicerane duke përfshirë: Le Montreux Jazz festival, Les Georges dhe les Francomanias.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore