Lajme

Kearns: Mirëpres konfirmimin e ShBA-ve se policët e rrëmbyer po mbahen me akuza të rreme nga Serbia


Alicia Kearns

Deputetja dhe kryetarja e komisionit për Politikë të Jashtme të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka mirëpritur kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për t’i liruar menjëherë dhe pa kushte tre policët e kidnapuar nga xhandarmëria serbe.

Kearns përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se “mirëpresim SHBA-të që konfirmojnë ndalimin e paligjshëm të 3 policëve kosovarë për ‘akuza të rreme’”.

“Ndryshe nga vendimi i (Albin) Kurtit për zyrat e kryetarëve të komunave, ky është një akt i kundërligjshëm. Por ndëshkim i shpejtë vetëm për Kosovën? Si çelësi i de-përshkallëzimit, sanksionet mund të mos ndihmojnë, por unë thërras hipokrizinë dhe mungesën e ekuilibrit”, pohoi ajo në “Twitter”.

Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate zyrtare i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte policët e Kosovës të kidnapuar nga xhandarmëria serbe.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiç dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, thuhet aty.

Ndërkaq, nga DASH-i potencohet se “ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga Bashkimi Evropian dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Edhe Mbretëria e Bashkuar, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme, përmes një komunikate për media ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve, sipas tyre, të ndaluar, më 14 qershor nga policia Serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar bëri thirrje, të premten, gjithashtu se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar tensionet.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”.

Mbretëria e Bashkuar ka ripërsëritur thirrjet që Qeveria e Kosovës, gjegjësisht, kryeministri Albin Kurti, të plotësojë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për de-përshkallëzim të situatës në Veri të Kosovës.

Ndryshe, në vazhdën e tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës, që nga 26 maji, kur serbët lokalë kundërshtuan në mënyrë të dhunshme që kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të futeshin në zyrat e tyre, pasditen e së mërkurës, janë rrëmbyer tre policë të Kosovës nga Serbia.

Për rrëmbimin e policëve të Kosovës, Policia e Kosovës, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thanë se ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës, për dallim nga pretendimi i Serbisë që deklaruan se një gjë e tillë ka ndodhur brenda territorit të Serbisë.

Fillimisht lajmin e konfirmoi Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues”, njoftoi policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion”.

“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”.

“Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës. Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës”, thuhej në komunikatën e Policisë.

DASH, Vuçiç-it: Liroj menjëherë dhe pa kushte 3 policët, mbajtja e tyre me akuza të rreme ka rritur tensionet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore