Sport

Kane nuk do të largohet nga Tottenham-i, pranon rinovimin e kontratës


Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ishte një ndër futbollistët më të kërkuar në kohët e fundit nga klubet e mëdha evropiane.

Flitej se ai do të largohej së shpejti nga skuadra e tij, Tottenham Hotspur, megjithatë sulmuesi 29-vjeçar duket se nuk e ka ndërmend ta braktis ekipin e tij.

Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, Kane dhe Tottenham-i do ta zgjasin kontratën përtej vitit 2024.

Pra, kontrata aktuale skadon në verën e vitit të ardhshëm, por thuhet se palët kanë rënë dakord që ta zgjasin bashkëpunimin të paktën edhe për katër vite të tjera.

Pa dyshim që ky nuk do të jetë lajm i mirë për disa klube të mëdha evropiane, sidomos për Manchester United-in dhe Bayern Munich-un të cilët kanë shfaqur vazhdimisht interesim për sulmuesin e Anglisë.

Kujtojmë që Kane është produkt i akademisë së klubit të Tottenham-it. Në fillimin e karrierës së tij, 29-vjeçari nuk shihej si një sulmues siç është tani, andaj kaloi një periudhë i huazuar në klubet angleze si: Leyton Orient, Millwall, Norwich e Leicester.

Por, që nga vera e vitit 2013, Kane iu bashkua ekipit të parë të Tottenham-it, ku deri më tani ka shënuar 265 gola në 414 paraqitje në të gjitha garat.

Kane gjithashtu numëron edhe 53 gola me kombëtaren e Anglisë në 80 ndeshje zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore