Lajme

Kancelarja Suu Kyi paraqitet në gjykatë


Kancelarja Aung San Suu Kyi është paraqitur të hënën e 1 marsit, në gjykatë, për t’u përballur me akuza të reja.

Sipas raporteve, udhëheqësja ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka kërkuar të shohë ekipin e saj. Dy akuza të reja janë njoftuar kundër Suu Kyi-s pas arrestimit që ndodhi me grushtin e shtetit më 1 shkurt.

Ushtria ka marrë pushtetin me pretendimin e mashtrimit në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në nëntor.

Aung San Suu Kyi përballë akuzave

Policia në Myanmar, e njohur si Burma, ka ngritur akuza kundër kancelares, më 3 shkurt, Aung San Suu Kyi, pas grushtit të shtetit.

Sipas policisë, ajo do të mbahet në paraburgim deri më 15 shkurt.

Akuzat përfshijnë shkelje të ligjeve të importit dhe eksportit. Gjithashtu, pjesë e akuzave është posedimi i pajisjeve të paligjshme të komunikimit.

Ato janë të vendosura në një dokument policor, i quajtur Raporti i Parë Fillestar, i cili është dorëzuar në gjykatë.

Sipas dokumentit, kancelarja është e vendosur në paraburgim, teksa po merren në pyetje dëshmitarë, po kërkohen prova dhe këshilltarë ligjorë për analizë të pyetjeve të pandehurve.

Grushti i shtetit në Myanmar

Ushtria e Myanmarit ka marrë në dorë vendin me anë të një grushti shteti, duke arrestuar kancelaren Aung San Suu Kyi dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit. Ky grusht vjen pas disa ditësh tension mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit të nëntorit 2020.

Kancelarja 75-vjeçare Aung, presidenti Win Myint dhe pjesëtarë të tjerë të Ligës Kombëtare për Demokraci, u arrestuan në rezidencën qeveritare të kryeqytetit, Naypyidaw.

18 të vdekur nga protestat

Forcat e sigurisë të dielën intensifikuan goditjen e tyre ndaj protestave në Mianmar, me ditën më të përgjakshme të demonstratave që nga grushti i shtetit ushtarak i datës 1 shkurt, duke vrarë të paktën 18 persona.

Përleshjet me gaz lotsjellës, granata marramendëse, plumba gome dhe fishekë të drejtpërdrejtë e kthyen Yangon dhe qytete të tjera në fushëbeteje, teksa ushtria marshonte për të shtypur rezistencën ndaj marrjes së pushtetit në mënyrë të padrejtë.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha se të paktën 18 persona kanë vdekur dhe 30 të tjerë janë plagosur në disa qytete në gjithë vendin, duke përfshirë Yangon, Dawei, Mandalay dhe Bago. Ndërkohë, vdekjet janë shkaktuar nga hedhja e municioneve në drejtim të turmës, sipas zyrës së Kombeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore