Lajme

Kanadaja regjistron temperaturën rekord 49.5 gradë Celcius, dhjetëra viktima


Kanadaja ka regjistruar temperaturën e saj më të lartë në histori, të martën e 29 qershorit. Temperaturat shënuan 49.5 gradë Celcius në komunën e Lytton-it, në provincën e Kolumbias Britanike.

Policia ka raportuar me dhjetëra viktima nga vala e nxehtësisë në perëndim të Kanadasë. Kjo është dita e tretë radhazi që Lytton-i ka thyer rekordin e temperaturës, pasi arriti përkatësisht 46.6 dhe 47 gradë Celcius, të dielën dhe të hënën.

Para regjistrimit të këtyre maksimaleve, temperatura më e lartë e regjistruar në vend kishte qenë 45 gradë Celcius, në vitin 1937 në Midale, raporton media kanadeze CBC.

Kolumbia Britanike dhe pjesë të provincës së Albertës po goditen më së shumti nga temperaturat e larta.

Policia e Metros Vancouver ka raportuar se ata u janë përgjigjur më shumë se njëqind fataliteteve të papritura që kur nxehtësia e madhe kaploi provincën.

Ndërkohë, Policia ka treguar se deri të martën ata kanë marrë njoftime për më shumë se 65 vdekje të papritura që nga e premtja e kaluar.

“Vancouver kurrë nuk ka provuar nxehtësi si kjo dhe, fatkeqësisht, dhjetëra njerëz po vdesin prej saj”, tha zëdhënësi i Policisë së Vancouver Steve Addison, duke shtuar se oficerët po bëjnë “çfarë të munden” për të kryer punën e tyre. Shumë prej të vdekurve ishin të moshuar.

Shumë vende në Amerikën e Veriut, duke përfshirë shtetin e Oregonit në Shtetet e Bashkuara, gjithashtu kanë regjistruar temperatura rekord mbi 40 gradë Celcius gjatë valës së fundit të nxehtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore