Aplikacione

Kanadaja ndalon TikTok-un në pajisjet qeveritare për rreziqet mbi sigurinë


Kanadaja i është bashkuar SHBA-ve dhe BE-së në miratimin e një ndalimi gjithëpërfshirës që parandalon instalimin e TikTok-ut në të gjitha pajisjet celulare qeveritare.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka thënë se mund të ketë ose jo hapa të mëtejshëm.

“Dyshoj se teksa qeveria ndërmerr hapin e rëndësishëm për t’u thënë të gjithë punonjësve federalë se ata nuk mund të përdorin më TikTok-un në telefonat e tyre të punës, shumë kanadezë nga biznesi tek individët privatë do të reflektojnë mbi sigurinë e të dhënave të tyre dhe ndoshta do të bëjnë zgjedhje”.

“Jam gjithmonë një adhurues i dhënies së informacionit kanadezëve që ata të marrin vendimet e duhura për ta”.

Në SHBA, më shumë se gjysma e shteteve e kanë ndaluar TikTok-un nga pajisjet zyrtare të qeverisë.

Shtëpia e Bardhë e ka zgjeruar së fundmi ndalimin për të përfshirë të gjitha agjencitë qeveritare, duke u dhënë punonjësve federalë 30 ditë për të hequr aplikacionin nga pajisjet e tyre të punës.

Aplikacioni është jashtëzakonisht i popullarizuar me të rinjtë, por pronësia e tij kineze ka ngritur frikën se Pekini mund të mbledhë të dhëna për përdoruesit perëndimorë ose të shtyjë narrativa dhe dezinformata pro Kinës.

TikTok-u është në pronësi të ByteDance, një kompani kineze që e zhvendosi selinë e saj në Singapore në vitin 2020.

Kompania përballet me një kontroll intensiv nga Evropa dhe SHBA-të mbi sigurinë dhe privatësinë e të dhënave mes shqetësimeve se aplikacioni mund të përdoret për të promovuar pikëpamjet pro-Pekinit ose për të fshirë informacionin e përdoruesve.

Dhe e gjitha vjen pasi Kina dhe Perëndimi janë të kyçur në një tërheqje më të gjerë të luftës mbi teknologjinë, duke filluar nga balonat spiune deri te çipat kompjuterikë.

Kompania është përballur me disa skandale gjatë viteve. Ajo pranoi në dhjetor se kishte përdorur aplikacionin e saj për të spiunuar një numër gazetarësh amerikanë si pjesë e një hetimi për zbulimin e informacionit dhe si rezultat kishte shkarkuar të paktën katër punonjës.

Për më tepër, është treguar në mënyrë të përsëritur se është më pak e ndarë nga pronësia e saj kineze sesa pretendonte, me udhëzime të moderuara që avancuan politikën e jashtme të Pekinit dhe lidhjet e vazhdueshme midis bazës së kodit të TikTok-ut dhe aplikacionit simotër të tij në Kinë, Douyin.

Por, pavarësisht hetimeve në kontinente të ndryshme, nuk është gjetur asnjë shenjë që të demonstrojë se mbledhja e të dhënave është diçka më shumë se i njëjti “kapitalizëm mbikëqyrës” që rivalët si Facebook dhe Instagram aplikojnë për të shitur reklama të synuara.

Një zëdhënës i TikTok-ut ka thënë se “është kurioz pse qeveria e Kanadasë ka lëvizur për të bllokuar TikTok-ut në pajisjet e lëshuara nga qeveria pa përmendur ndonjë shqetësim specifik sigurie”.

Kompania ka thënë po ashtu se është gjithmonë në dispozicion për të diskutuar privatësinë dhe sigurinë e kanadezëve.

“Të veçosh TikTok-un në këtë mënyrë nuk bën asgjë për të arritur këtë qëllim të përbashkët. Gjithçka që bën është të parandalojë zyrtarët që të arrijnë publikun në një platformë të dashur nga miliona kanadezë”, ka shtuar zëdhënësi.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore