Lajme

Kanada, ndryshimet klimatike: Stuhia vdekjeprurëse ndërpret lidhjet e transportit rreth Vancouver-it


Një stuhi vdekjeprurëse e përshkruar nga zyrtarët si një ngjarje moti që ndodh një herë në shekull, ka ndërprerë lidhjet rrugore dhe hekurudhore rreth Vancouver-it, Kanada. E gjitha kjo, sipas ekspertëve ka lidhje me ndryshimet klimatike.

Dy autostradat që lidhin qytetin e Bregut Perëndimor u mbyllën pasi u dëmtuan nga përmbytjet e rënda.

Mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të stuhisë masive, e cila goditi të hënën.

Një grua humbi jetën në një rrëshqitje dheu në autostradë dhe ekipet e shpëtimit thonë se të paktën dy persona të tjerë janë të zhdukur.

Ministri provincial i Transportit, Rob Fleming, tha në një konferencë shtypi se ishte “stuhia më e keqe e motit në një shekull”. Ministri i Sigurisë Publike, Mike Farnworth, tha se ai “nuk kishte dyshim” se stuhia ishte e lidhur me ndryshimet klimatike.

Mijëra shtëpi në British Columbia u evakuuan pasi një “lum atmosferik” – një rrip i gjatë lagështie në atmosferë që transporton ujin nga rajonet tropikale drejt poleve – hodhi mesataren e reshjeve mujore të rajonit në vetëm 24 orë.

7 mijë banorët e Merritt, rreth 120 milje në veri-lindje të Vancouver-it, u urdhëruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre të hënën.

Dëbora ra atje të martën dhe makinat mund të shiheshin duke notuar në ujërat e akullta të përmbytjeve në qytet.

Ekuipazhet e helikopterëve u dërguan gjithashtu në qytetin malor të Agassiz për të shpëtuar rreth 300 njerëz që mbetën të bllokuar në një rrugë të prerë.

Shirat dhe erërat e së hënës përfunduan pasditen e së martës, por disa komunitete mbetën të bllokuara.

Image

Të martën, zyrtarët në Abbotsford u thanë banorëve që të largoheshin menjëherë nga lagjet Sumas Prairie dhe Yarrow pasi rritja e nivelit të ujit përbënte “një rrezik të konsiderueshëm për jetën”.

Një pjesë e autostradës Trans-Canada, e cila lidh Vancouver-in me pjesën tjetër të vendit, u zhyt nën ujë.

Një pjesë e autostradës Coquihalla, e cila lidh Vancouver-in me brendësinë e provincës, duket se është shkatërruar në ujërat e përmbytjeve.

Në një moment, rruga kryesore e disponueshme tokësore nga Vancouver-i ishte hyrja në SHBA dhe më pas kthimi në Kanada.

Megjithatë, rihyrja në Kanada nga SHBA-të kërkon një test negativ të coronavirusit dhe rrugët në shtetin kufitar të Uashingtonit u prekën gjithashtu nga stuhia.

Ndryshimet klimatike janë të lidhura me motin më ekstrem si përmbytjet që vranë 200 njerëz në Gjermani këtë verë

Porti i Vancouver-it, më i madhi në Kanada, u detyrua të pezullojë të gjithë aksesin hekurudhor për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut, duke ndaluar dërgesat e ushqimit, karburantit dhe mallrave të tjera..

Ndikimi i ndryshimit të klimës në frekuencën e stuhive është ende i paqartë, por sipas ekspertëve temperaturat e rritura të sipërfaqes së detit ngrohin ajrin sipër dhe energjia e disponueshme nxit uraganet, ciklonet dhe tajfunet. Si rezultat, ato ka të ngjarë të jenë më intensive me reshje më ekstreme.

Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2 gradë Celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.

Stuhia vjen pasi British Columbia pësoi një valë të të nxehtit rekord gjatë verës së kaluar, që la të vdekur më shumë se 500 njerëz dhe zjarret që shkatërruan një qytet të tërë.

Moti ekstrem në Kanada vjen disa ditë pasi liderët botërorë u takuan për konferencën e klimës COP26 në Glasgow.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore