Sport

“Kampionet olimpike të Kosovës do të jenë pjesë e FA-ve”


Ndërsa prezantonte vendimet e para të kabinetit të ri qeverisës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se sportistet e Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, do të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FA).

Krasniqi dhe Gjakova ishin sportistet që shkëlqyen me dy fitore dhe medalja të arta në Lojërat Olimpike të Tokios në xhudo.

Sipas kryeministrit, kampionet olimpike kanë shprehur dëshirën të jenë pjesë e FA-ve shqiptare.

Rama nënvizoi se ministri i Mbrojtjes – Niko Peleshi – do të nisë nga puna për krijimin e një njësie speciale të kampioneve, në mënyrë që të përfitojnë një status të veçantë për gjithë jetën.

“Vendimi për përfshirjen në strukturat e Forcave tona të Armatosura të dy fitueseve të medaljeve të arta në lojërat Olimpike të Tokjo, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova të cilat kanë arritur diçka që është e jashtëzakonshme dhe po ashtu kanë shprehur dëshirën që t’i bashkohen FA të Shqipërisë. Dhe këtu dua të shtoj se me ministrin e Mbrojtës jemi duke punuar që në FA e Shqipërisë të krijohet një njësi speciale e kampionëve, që meritojnë të trajtohen gjithë jetën me një status të veçantë. Nga përvoja e vendeve të tjera këtë status të veçantë kampionëve ua jep përfshirja në FA dhe nga ana tjetër të jenë aty shembuj rrezatues dhe mentorët e të rinjve me uniformë”, deklaroi kryeministri gjatë mbledhjes së parë të qeverisë.

Xhudistet olimpike vizituan Shqipërinë gjatë muajit gusht ku u takuan me kryeministrin Rama.

Rama, shkruante në media sociale se ishte nder i madh “mikpritja e dy kampioneve të arta olimpike”.

“Me respekt krejt të posaçëm për forcën e jashtëzakonshme të shembullit që na japin, uroj t’i vizitoj së shpejti në Pejë për të mësuar prej eksperiencës fantastike të shkollës së tyre të kampionëve”, ravijëzonte kryeministri në statusin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore