Lajme

Kampet kineze ndaj ujgurëve: Dhunë, përdhunim, dëshpërim


Në ditën e saj të parë të punës së re në qendrën e dënimeve të Xianjiang-ut, Qelbinur Sidik tha se kishte parë dy ushtarë duke shpënë një grua ujgure jashtë ndërtesës, me anë të një barele.

“Në fytyrën e saj nuk kishte asnjë shenjë jete. Faqet i ishin zbehur, si të ishte pa frymë”, tha Sidik, një ish mësuese e shkollës fillore, të cilën e kishin detyruar të jepte mësim për disa muaj në dy qendra të dënimit në Xinjiang.

Një police, më vonë, i kishte pëshpëritur se gruaja që ajo kishte parë, kishte vdekur për shkak të humbjes së madhe të gjakut. Por, arsyen se pse kishte ndodhur, nuk e kishte përmendur. Kjo, ishte vetëm një nga historitë që policja do t’i tregonte Sidik-ut gjatë punës së saj në institucion.

Policja i kishte pohuar se e kishin lënë aty për të hetuar disa akuza mbi përdhunimet që ndodhnin në atë vend. Ajo që Sidik-u kishte parë, ishte shumë më keq se sa kishte lënë policja të kuptohej. Aq shqetësuese, sa asaj i përziej stomaku.

Mësuesja nuk është e para që ka hedhur të tilla akuza ndaj një institucioni kinez. Persona që kanë vuajtur dënimin aty më parë, kanë pohuar të njëjtën gjë. Mbi të gjitha, mbi ujgurët.

Qeveria kineze ka mohuar gjithnjë çdo akuzë mbi çështjen. “Nuk ka asnjë agresion seksual ndaj ujgurëve dhe minoriteteve muslimane”, shkruhet në deklarata të institucioneve të Pekinit zyrtar. “Aq më pak, në Xinjiang”.

Sidik gjithsesi këmbëngul se si policet, kishin folur mbi kolegët e tyre burra dhe dhunën seksuale që ata ushtronin kur deheshin netëve të vona.

Brenda kampeve

Me etni uzbeke, Sidik u rrit në Xinjang dhe shpenzoi 28 vite duke dhënë mësim në një shkollë fillore. Kjo, deri në vitin 2017, kur u thirr për të mësuar ata që vuanin dënime në qendrën e Xinjiang-ut.

Qelbinur Sidik, gjatë një mësimi me klasën e saj fillore

Në mars 2017, ajo pa për herë të parë studentët e saj. Këtë herë, ata nuk ishin fëmijë, por mbi 100 burra të prangosur. Disa gra, ishin pjesë e grupit gjithashtu.

“Herën e parë që u ktheva shpinën për të shkruar në tabelë të zezë, gjithçka dëgjoja ishin të qara. U ktheva befas për të parë ç’po ndodhte. Lotët i pikonin në bangat ku ishin ulur. Gratë, qanin me dënesë”!

“Të gjithë ata që vinin të shëndetshëm, brenda pak kohësh sëmureshin dhe dobësoheshin” vazhdon rrëfimin mësuesja. “Kur shkoja drejt klasave, dëgjoja të bërtitura. Pyesja mbi arsyet”.

“Jemi duke torturuar të burgosurit”, i pohonin policët. “Çdo ditë që kalonte, ishte një tragjedi e re”, vazhdon Sadik.

Por, të huajt, nuk kanë asnjë mënyrë për të vërtetuar këto akuza.

Qeveria kineze pretendon se kampet janë qendra trajnimi. Një strategji për integrimin e ujgurëve dhe minoriteteve myslimane, po vihet në zbatim sipas tyre.

Më përdhunuan në grup

Tursunay Ziyawudun, pretendon se nuk kishte kryer asnjë krim kur u arrestua për herë të parë në prill 2017. Ajo po kthehej në shtëpi për të marrë dokumentet zyrtare të shtetësisë. Prej pesë vitesh, ajo jetonte me bashkëshortin në Kazakistan.

Tursunay Ziyawudun, viktimë e dhunës dhe përdhunimeve në Xinyuan

I shoqi, Kalmirza Halik, nuk ishte arrestuar. Duke e gjurmuar, ai e gjeti bashkëshorten e tij në Xinyuan. “Folëm tek kangjellat e derës së jashtme. Ajo filloi të qante përpara meje. I thashë të qetësohej pasi nuk kishte thyer asnjë ligj”, dëshmon ai.

Pas një muaji, autoritetet e liruan Ziyawudun-in, por në Mars 2018, e rikthyen në kamp. Pikërisht aty, filloi makthi i saj nëntë mujor.

Ajo foli me agjencinë e lajmeve CNN mbi jetën e saj.

“Isha në qeli me 20 gra të tjera. Na jepnin pak ushqim dhe ujë. Tualetin e përdornim vetëm një herë në ditë për pesë minuta. Kush qëndronte më shumë, merrte goditje elektrike me anë të një pajisje që kishin”.

Mbi të, hetohej për jetën në Kazakistan, për gjithçka ajo dinte mbi grupet ujgure. “Më kanë goditur deri sa bija në tokë pa ndjenja”.

“Ditë më vonë, më çuan në një dhomë. Dëgjoja një vajzë duke bërtitur me të madhe. Mendoja se do më rrihnin. Në pak sekonda, e gjeta veten të mbështetur në një tavolinë, duke u përdhunuar në grup”.

Ajo i përshkruan punonjësit e burgut si sadistë. “Dhuna ishte gjithçka ata donin. Më përplasnin kokën tek muret. Donin të shkaktonin dhimbje”.

Këto akuza ndaj Pekinit zyrtar, ndodhin prej vitesh tashmë. Të shumta janë viktimat që denoncojnë dhunën e pa masë të shkaktuar ndaj tyre.

Sërish, provat janë vështirë të nxirren. E vetmja gjë e sigurt, mbetet vuajtja dhe mjerimi, që këto akte kanë lënë tek viktimat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore