Lajme

“Kam dashur të bëhem nënë pa pasur burrë” – “Fëmijëve s’duhet t’ua ndalojmë të kenë babë”, debati mes Bogujevcit e Rrahmanit në Kuvend


Gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës për Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka thënë se ka dashur të bëhet nënë pas pasur burrë.

“Unë dua të jem e sinqertë dhe publikisht po e them që unë përderisa nuk e kam pas mundësinë të jem në lidhje, kam dashtë të bëhem nënë. Edhe unë duhet me qenë e limituar, vetëm pse një shoqëri mendon se një normë duhet me qenë në një formë të caktuar”, tha Bogujevci.

“Përderisa unë kam dashur të bëhem nënë, për mua ka qenë me rëndësi çfarë ka ofruar shkenca për të ma ofruar atë të drejtë, e jo me ma determinu një burrë”.

Bogujevci, ka theksuar se është ligj shumë i rëndësishëm dhe e kanë rregulluar në rrafshe të ndryshme.

“Ke raste të tjera kur kjo as nuk diskutohet në shoqërinë tonë, ku gratë dhunohen dhe me jo dëshirën e tyre shtyhen të bëhen nënë. Ke raste kur gratë shtyhen të bëjnë fëmijë dhe burrat nuk marrin përgjegjësi”, shtoi ajo.

Por, me bashkëpartiaken e tij, nuk është pajtuar deputeti Eman Rrahmani, teksa ka potencuar se “e mirëkupton qëndrimin e deputetes Bogujevci.

“Fëmijëve nuk duhet t’ia ndalojmë të kenë babë, nuk besoj që duhet të bëjmë këso lloj krahasime ku e stimulojmë një proces të kundërët të natyrës dhe të asaj që e ka krijuar Zoti”.

Madje sipas tij, duhet të rishikohet projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, meqë “cenon familjen për vlerat e së cilës thotë se angazhohet”.

“E drejta e fertilizimit u jepet edhe vajzave të pamartuara. Pati edhe çështje të tjera. Unë personalisht nuk do të marrë pjesë në këtë diskutim prandaj do të kërkoja nga ministri ta tërheqë dhe ta diskutojë për vërejtjet”, ka thënë ai.

Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka sqaruar se përcaktimi i gjinisë përmes metodave mjekësore ndalohet, përpos rasteve specifike që lidhen me sëmundje.

“Ndalohet përcaktimi i gjinisë, ndalohet, por janë disa sëmundje të trashëgueshme qe barten vetëm tek njëra gjini, prandaj kjo ka qenë arsye që përjashtohet në raste specifike”, shpjegoi Vitia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore