Lajme

Ka nevojë edhe Zvicra për masa në përballimin e krizës energjetike


Një sërë opsionesh po merren parasysh për të parandaluar një krizë të mundshme energjetike në Zvicër, sipas ministres për Energjinë, Simonetta Sommaruga.

E gjithë kjo situatë, ka ardhur në këtë pikë pas kritikave të shumta që i janë adresuar qeverisë zvicerane, për mosveprim ndaj një krize të mundshme energjetike, e cila po vihet re në shumë vende të Evropës.

E prekur së fundmi ka qenë edhe Kosova, ku pas një vendimi për ndërprerjen e pjesshme të rrymës dhe ndihmës së Shqipërisë me energji elektrike, Qeveria mori vendim të vijonte furnizimin e rregullt me energji.

Mirëpo, një plan konkret nga ana e Prishtinës, ende mungon.

Ndërsa, Zvicra, tashmë do të nisë planin emergjent.

“Po bëjmë të pamundurën për të parandaluar kufizimet”, deklaroi Sommaruga në një intervistë për të përditshmen zvicerane SonntagsBlock.

Ndër të tjera, ajo theksoi faktin se një kursim me 15% i energjisë tani, do të bënte shumë sens, ashtu si është edhe plani i Bashkimit Evropian për periudhën e dimrit.

Mirëpo, ky ligj do të duhej të kalonte në Parlament fillimisht.

Kursimi, do të vinte pikë së pari nga ai në institucionet shtetërore, me masa të tilla si fikja e dritave gjatë natës, ndriçimi publik i fikur pas orës 00:00 apo edhe kursimi në ajër të kondicionuar.

Po ashtu, nëse krijohet mundësia, Ministria e drejtuar nga Sommaruga do të kërkojë të blejë që tani në verë energji elektrike, kur çmimet janë më të përballueshme se sa projeksionet e dimrit.

Krahasimi është bërë edhe me vende superfuqi si Gjermania, e cila do të ketë “hallet” e saja në fushën e furnizimit me gaz, duke qenë se varet në masë nga prodhimi rus.

Ajo çfarë qëndron me më së shumti rëndësi në gjithë këtë, mbetet fakti që edhe një vend si Zvicra, superfuqi e vërtetë ekonomike në Evropë, po has në vështirësi me sektorin energjetik dhe nëse Bernës i duhen masa, vendeve si Kosova apo Shqipëria vetë, nuk diskutohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore