Futboll

Juventus-Napoli, De Laurentiis i përgjigjet Pirlo-s


Vendimi i fundit i Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI), që sfida midis Juventus-it dhe Napoli-t do të luhet në fushën e lojës duke hedhur poshtë vendimin e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ku Napoli e humbiste ndeshjen 3-0 në tavolinë, për mos paraqitje, ka ngjallur debate në Italinë fqinje.

Trajneri i Juventus-it, Andrea Pirlo, i pyetur nga gazetarët rreth vendimit të CONI-t është shprehur;

“Ne nuk e kemi problem ta luajmë ndeshjen. Unë jam i zhgënjyer për ato skuadra që udhëtuan dhe luajtën, kur kishin më shumë lojtarë me Covid-19 dhe ata treguan një drejtësi të madhe duke luajtur gjithsesi. Unë nuk do të them nëse vendimi ishte i saktë apo jo, por nuk më duket i drejtë për skuadrat e tjera që luajtën në situata më të vështira”.

Kjo deklaratë e Pirlo-s, siç duket ka ngacmuar jo pak presidentin e ekipit të Napoli-t, Aurelio De Laurentiis, i cili i është kundërvënë menjëherë Pirlo-s pas deklaratës së këtij të fundit.

“Pirlo nuk është avokat me profesion, ai nuk njeh procedura të caktuara, nuk e di se çfarë ka ndodhur në lidhje me protokollet. Pirlo duhet të jetë një trajner dhe kjo është e gjitha, disa përgjigje duhet t’i lëri t’i thonë përfaqësuesit e klubit të tij”- tha De Laurentiis për Radio Capital./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore