Muzikë

Justin Bieber rinis turneun e tij botëror


Justin Bieber

Justin Bieber do të rifillojë turneun e tij, “Justice” më 31 korrik, pasi u diagnostikua me një sëmundje që e la atë me paralizë të pjesshme të fytyrës.

Këtë e ka bërë të ditur një përfaqësues i këngëtarit për revistën “Variety”.

Turneu masiv botëror i këngëtarit, i cili ka 75 data të planifikuara, do të rifillojë me një performancë në Festivalin Veror “Lucca” në Itali dhe do të vijojë me pesë data në Evropë gjatë gushtit përpara se të niset në Amerikën e Jugut në shtator. Ai vazhdon në Afrikën e Jugut, Lindjen e Mesme, Azi, Australi dhe Zelandën e Re përpara se të kthehet në Evropë prej janarit deri në mars.

“Duke filluar një seri festivalesh evropiane në Itali më 31 korrik, më pas do të vazhdohet në Amerikën e Jugut, Afrikën e Jugut, Lindjen e Mesme, Azinë, Australinë dhe Zelandën e Re, më pas në Evropë në vitin 2023. Detajet e shfaqjeve të shtyra në SHBA vijnë së shpejti”, ka konfirmuar kompania “AEG Presents UK” në një postim në rrjetin social Twitter.

Muajin e kaluar këngëtari njoftoi se po ndalonte turneun e tij për shkak të sindromës ‘Ramsay Hunt’, e cila e la atë të paaftë të lëvizte gjysmën e fytyrës.

“Është nga ky virus që sulmon nervin e veshit tim dhe nervat e fytyrës dhe ka bërë që fytyra ime të ketë paralizë”, ka bërë të ditur ai në një video të postuar në llogarinë e tij të verifikuar në Instagram.

“Siç mund ta shihni, ky sy nuk po pulson. Unë nuk mund të buzëqesh në këtë anë të fytyrës sime; kjo vrimë e hundës nuk do të lëvizë. Pra, ka paralizë të plotë në këtë anë të fytyrës sime”, ka thënë këngëtari i hitit “Yummy”.

Ai më vonë ofroi një përditësim rreth asaj se si po ia dilte me sindromën e rrallë neurologjike, të shkaktuar nga i njëjti virus që mund të shkaktojë linë e dhenve dhe herpesin.

“Çdo ditë është bërë më e mirë dhe gjatë gjithë shqetësimit kam gjetur ngushëllim tek ai që më ka projektuar dhe më njeh”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore