Lajme

Joseph denoncon Serbinë për “shkelje flagrante” të nenit katër të marrëveshjes


Edward Joseph

Edward Joseph, ligjërues universitar, njohës i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor dhe analist i politikës së jashtme, ka denoncuar Serbinë për “shkelje flagrante” të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Joseph, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka thënë se në prag të takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së, kryediplomati serb, Ivica Daçiç, ka vazhduar ripërtëritjen e deklaratave kundër zbatimit të marrëveshjeve në kuadër të dialogut, duke shkelur nenin 4 për mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ai ka risjellë në fokus deklaratën e shefit të diplomacisë serbe se Serbia “nuk do të pranojë asnjë interpretim që nënkupton njohjen e Kosovës dhe se nuk ka anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB)”, zgjatuar në deklaratën e fundit se Kosova “nuk mund të bëhet kurrë anëtare në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)”.

“Ky është kundërshtim flagrant i nenit 4 të marrëveshjes së shkurtit për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vërejtjet e Daçiçit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup javën e kaluar shkojnë përtej retorikës zgjedhore. Janë deklarata të qarta të kahershme”, ka shkruar ai.

Serbia ka shkelur nenin 4 të Marrëveshjes Bazike që përcakton qartë se Serbia s’do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Kur bëhet fjalë për marrëveshjet e mëhershme në kuadër të dialogut, lista e shkeljeve të Serbisë është shumë e gjatë: vulat doganore, diplomat universitare, lëvizja e lirë, letërnjoftimet dhe targat e veturave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore