Lajme

Joseph: Autonomia për serbët është e parakohshme, gjithçka ka të bëjë me cenimin e sovranitetit të Kosovës


Edward Joseph

Kur shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi përmes një konference për media se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, pas një dite të gjatë bisedimesh, më 18 mars në Ohër, shumë vëzhgues këtë e panë me skepticizëm.

Në mesin e tyre është edhe Edward Joseph, ligjërues në Universitetin “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara dhe njohës i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor, i cili përveç shprehjes së dukshme të skepticizmit, thotë se SHBA-të dhe Bashkimi Evropian duhet t’u rrinë më shumë gati përgjegjësive të tyre.

Në një shkrim autorial të publikuar në prestigjiozen amerikane “Foreign Policy”, përveçse shtroi disa pyetje, sidomos duke i marrë parasysh paqartësitë e toleruara në marrëveshje, sugjeroi tre hapa jetikë për ndërtimin e themelit për sukses.

“BE-ja duhet të heqë dorë nga pretendimi se është vetëm lehtësuese mes palëve dhe Uashingtoni duhet të heqë dorë nga pretendimi se është vetëm përkrahës pas udhëheqjes së BE-së. Vetë marrëveshja e përfshin ‘Propozimin e BE-së’ në këtë titull – e përkrahur plotësisht dhe e çuar përpara nga Shtetet e Bashkuara”, tha Joseph.

Çështja më e diskutuar është neni shtatë i Planit Evropian. Kosovës i kërkohet që të fillojë menjëherë negociatat përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE, rreth krijimit të kushteve [arrangements] dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm [appropriate] të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Prandaj, shkroi Joseph, kërkesa e Serbisë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk ka të bëjë fare me mirëqenien e serbëve të Kosovës, porse gjithçka ka të bëjë me cenimin e sovranitetit të Kosovës.

Albin Kurti, Miroslav Lajcak, Josep Borrell dhe Aleksander Vucic

“Realiteti është se autonomia është e parakohshme, duke pasur parasysh ndikimin e Serbisë mbi politikat e serbëve të Kosovës dhe armiqësinë aktive të Beogradit ndaj fqinjit të saj”, nënvizoi ai.

Aneksi zbatues i Planit Evropian thotë se Plani Evropian dhe Plani i Zbatimit do të bëhen pjesë kyçe e proceseve të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE dhe se cilido mosrespektim i obligimeve nga Marrëveshja, Aneksi apo marrëveshjet e kaluara të dialogut, mund të rezultojë në sanksione.

Në Planin e Zbatimit parashihen dy afate kohore. Ai parasheh që brenda 30 ditësh shtetet të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorimi, të kryesuar nga BE-ja, që do të sigurojë dhe mbikëqyrë zbatimin e të gjitha dispozitave. Megjithatë, sipas Joseph, kjo gjë kërkon veprim vendimtar, e jo paqartësi.

“Asnjëra nuk është më e rëndësishme se zotimi i përmendur i BE-së që të ‘udhëheqë’ një komision të përbashkët për ta siguruar dhe mbikëqyrur zbatimin e ‘të gjitha dispozitave’. Brukseli do të duhet të shfaqë guxim të jashtëzakonshëm. Zbatimi kërkon veprim vendimtar – jo paqartësi të dizajnuar për ta shmangur atë”, shtoi ai.

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, paraprakisht ishin pajtuar me planin 11-pikësh të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Të dyja palët do të shkëmbejnë gjithashtu misione të përhershme në qeveritë përkatëse dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia, po ashtu, është zotuar se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe t’i formalizoheh statusi Kishës Ortodokse Serbe.

BE-ja tash këtë e konsideron si dokument, të cilin e bën pjesë ligjore të marrëdhënieve kontraktuale me Serbinë në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim në BE, gjegjësisht të marrëdhënieve të veta kontraktuale me Kosovën në aranzhimin special të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore