Kosova

Jeta e njerëzve “të padukshëm” – kosovarët të cilët jetojnë në Bosnje pa një dokument identifikues


Ilustrim

Nihada Gegic, me prejardhje nga Kosova që nga mosha tre vjeçare jeton në kryeqytetin e Bosnje Hercegovinës, pa dokumente identifikuese, kjo pasi që Sarajeva zyrtare refuzon t’i pranojë ato.

Bosnja e Hercegovina së bashku me Serbinë janë të vetmit shtete në rajon që refuzojnë ta pranojnë shtetësinë e Kosovës.

“Unë kam vetëm një certifikatë lindjeje të Kosovës, por ajo nuk pranohet. Është e tmerrshme të jetosh kështu. Ndjehem sikur dikush më ka hedhur në këtë botë, sikur jam e padukshme”, ka deklaruar Gegic në një intervistë për të përditshmen boshnjake, Sarajevo Times.

Nihada, sipas Sarajevo Times, ka mbaruar shkollën fillore në Sarajevë, por më pastaj nuk ka mundur të regjistrohet në shkollën e mesme, për shkak se autoritete boshnjake refuzojë t’i njohin dokumentet ku shkruhet Republika e Kosovës.

Gegiç nuk është e vetmja e cila jeton “pa identitet” në Bosnje e Hercegovinë.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), në BeH janë 28 persona që janë pa shtetësi ose jetojnë pa dokumente për shkak të rrethanave të ndryshme.

Njëri ndër to, është edhe 48 vjeçari nga Kosova Mustafa Zogaj, i cili jeton në Bosnje pa dokumente personale, që nga mosha 8 vjeçare.

Ai është “i padukshëm” për shtetin e Bosnjës edhe pse ka jetuar më shumë se 40 vjet në këtë vend.

Zogaj nuk ka letërnjoftim e as pasaportë, për të njëjtën arsye si të Gegic – mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Bosnja e Hercegovina.

“Gjëja më e vështirë për mua është kur policia më ndalon dhe më pyet nëse kam ndonjë dokument identifikues. Për këtë edhe jam arrestuar”, ka shpjeguar ai.

Kosovari Zogaj është shpërngulur për në Bosnje nga Kosova me babain e tij në vitin 1982, ndërsa sot ai ka dy fëmijë, por nuk është i martuar, jo pse nuk dëshiron, por nuk mundet.

Shkaqet kryesore të pa shtetësisë në Bosnje, sipas autoriteteve, janë zhvendosja si pasojë e luftërave si dhe librat e shkatërruara të gjendjes civile.

Sa vlejnë marrëveshjet e Procesit të Berlinit, kosovarët akoma s’po mund të udhëtojnë pa viza në Bosnje dhe Hercegovinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore