Bota

Jeruzalem/ Protestuesit planifikojnë më shumë dhunë në marshimin nacionalist hebre


Palestinezët janë përplasur me policinë izraelite për të tretën natë, në Jeruzalem. Protestuesit kanë planifikuar më shumë dhunë, për të hënën, gjatë një marshimi nacionalist hebre, në qytet.

Në Marshimin vjetor të Ditës së Flamurit në Jeruzalem, zakonisht marrin pjesë sionistët e rinj.

Ngjarja shënon kapjen e Izraelit të Jeruzalemit Lindor, në 1967, ndryshe njihet si shtëpia e qytetit të vjetër.

Ajo konsiderohet nga shumë palestinezë si provokim i qëllimshëm.

Ish-zyrtari i lartë, i mbrojtjes izraelite, Amos Gilad, bëri thirrje që marshimi të anulohej. Gjithashtu paralajmëroi Radion e Ushtrisë se, “fuçia e pluhurit po digjet dhe mund të shpërthejë në çdo kohë”.

Tensionet kanë qenë të larta në qytet për shkak të dëbimit të familjeve palestineze, nga rrethi i Sheik Jarrah të Jeruzalemit Lindor.

Qindra palestinezë dhe më shumë se 20 oficerë policie izraelitë, janë plagosur në përleshjet gjatë tre ditëve të fundit, sipas mjekëve dhe policisë.

Seanca gjyqësore e radhës, në çështjen shumëvjeçare të familjeve palestineze, pritej të zhvillohej të hënën. Më shumë se 70 njerëz po apelojnë kundër urdhrit të dëbimit që do t’i largojë palestinezët nga shtëpitë e tyre.

Por seanca u anulua të dielën, me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm të Izraelit. Data e re do të caktohet brenda 30 ditëve të ardhshme.

Çfarë ndodhi në përplasjet e fundit?

Gjatë përleshjeve të së dielës mbrëma, në Sheik Jarrah, palestinezët hodhën gurë ndaj policisë Izraelite. Ndërsa oficerët u përgjigjën me granata dhe top uji. Më shumë përleshje kishte afër Portës së Damaskut të Qytetit të Vjetër.

Mjekët palestinezë thanë se një numër i lartë protestuesish u plagosën.

Përballje midis palestinezëve dhe izraelitëve u raportuan gjithashtu në qytetin verior izraelit, Haifa dhe pranë qytetit, Ramallah, të Bregut Perëndimor.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, mbrojti veprimet e policisë kundër protestuesve palestinezë, me arsyen se qeveria e tij “nuk do të lejojë asnjë element radikal të prishë qetësinë” në qytet.

Jordania fqinje, kujdestari i vendeve të shenjta myslimane në Jeruzalemin Lindor, ka dënuar veprimet e forcave izraelite të sigurisë.

Kuarteti i negociatorëve të Lindjes së Mesme, Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkim Evropian (BE), Rusia dhe Kombet e Bashkuara (KB), gjithashtu kanë shprehur shqetësime mbi dhunën ndaj palestinezëve. Ata kanë kërkuar të gjitha palëve, të tregojnë vetë-përmbajtje.

Këshilli i Sigurimit i KB do të shqyrtojë çështjen të hënën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore