Lajme

Jeremiç: E kundërshtoj fuqishëm nënshkrimin e planit evropian


Vuk Jeremiç

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jermiç, beson se Serbia duhet t’i rezistojë presionit ndërkombëtar për të mos pranuar planin evropian, që sipas tij është njohje e pavarësisë së Kosovës.

“Serbia duhet të marrë parasysh përvojën e Azerbajxhanit, sovranitetin, çështjen e Nagorno-Karabakut dhe propozimet që nuk ishin të favorshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por Baku nuk pranoi asnjë nga ato propozime”, tha Jeremiç, në ligjëratën “Gjeopolitika e Ballkanit”, në Universitetin ADA.

“Unë e kundërshtoj fuqishëm nënshkrimin e asaj marrëveshjeje, sepse do të shkaktonte pasoja të përhershme negative. Marrëveshja parasheh barazinë e Serbisë dhe Kosovës dhe se Serbia nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare”, tha ai.

Ndërkaq, sipas tij nëse Kosova bëhet anëtare e OKB-së, “hapi tjetër do të ishte krijimi i një shteti të vetëm shqiptar që do të përfshinte territorin e Shqipërisë dhe Kosovës”, i cili do të “hapte kutinë e Pandorës” dhe do të shkaktonte destabilitet të mëtejshëm në rajon.

Gjithashtu, ai foli edhe për mbështetjen e Kinës dhe të Rusisë, të cilët sipas tij e mbështesin Serbisë për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OKB.

“Kina dhe Rusia njoftuan se janë të gatshme të përdorin veton e tyre, por Serbia nuk mund të presë që Moska e Pekini të jenë serbë më të mëdhenj se serbët”, shton ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore