Lajme

Jashari: Thaçi e Veseli më kërkuan të jem kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt, por i refuzova


Kryetari në largim i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari

“Ish-kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi më kanë kërkuar të jem kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt”.

Kështu ka thënë për Kallxo.com kryetari në largim i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

“E kanë ditë që Bekimi nuk hyn me parti, por si i pavarur”, tha Jashari.

Sipas tij, edhe ish-presidenti i Kosovës, njëherësish ish-kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, e kishte lutur që të bëhet pjesë e këtij subjekti politik.

”Kërkesa ka qenë nga Hashim Thaçi, kërkesa ka qenë si pjesë e PDK-së, por që s’kemi pranuar për shkak se nuk kemi dashur të kyçemi në parti”, shtoi ai.

Ai theksoi se ish-lideri i PDK-së, Kadri Veseli, edhe dy javë para se të shkonte në Hagë e kishte përsëritur qëndrimin e tij që Jashari mos të ketë kundërkandidat, as për zgjedhjet e këtij viti.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Fadil Nura, kandidat nga radhët e PDK-së, ka fituar garën pa balotazh në komunën e Skenderajt, me 57.99 për qind të votave, ndërkohë që kundër kandidati i tij kryesor, Bekim Jashari, kishte shënuar rezultat më të ulët, me gjithsej 40.64 për qind të votave.

Fadil Nura

Pas fitores së Nurës, Lista e pavarur e Bekim Jasharit kishte deponuar mbi 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që sipas kësaj liste kanë të bëjnë me vjedhjen e votave me sistemin e “trenit bullgar”.

Ndërkaq, PZAP kishte refuzuar shumicën e ankesave të Bekim Jasharit për parregullsi në votimin e 17 tetorit në Komunën e Skenderajt, duke i miratuar vetëm disa nga to, por që përfundimisht kjo komunë nuk shkoi në rivotime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore