Kosova

Jasharaj: Qeveria theu akullin e barrikadave, kërkesat s’ndryshojnë


Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës e Kosovës, Rrahman Jashari.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka thyer akullin e barrikadave për dialogim të kërkesave të tyre tash e sa kohë.

Ai pas takimit që kanë pasur gjatë së martës me ministrat Xhelal Sveçla e Arbërie Nagavci kanë marrë zotim se Ligji i Pagave është duke u punuar në mënyrë intensive nga institucionet përgjegjëse.

“Është mirë që ndodhi ky takim dhe më në fund besoj që ai akulli i barrikadave të Qeverisë kundër dialogut është thyer dhe uroj të vazhdohet me dialogun. Kemi biseduar për Ligjin e pagave dhe e mira e gjithë këtij takimi është se më në fund nga njeriu i parë i kësaj çështje ministri Sveçla jemi informuar se Ligji është duke u punuar”, ka thënë Jasharaj për EO.

Një protestë e punëtorëve në Prishtinë.

Tutje ai bën të ditur se për ligjin e pagave është duke punuar edhe ekipi i ekspertëve.

“Edhe ekipi i ekspertëve që ai e ka krijuar janë duke punuar në përpjekje për t’i hequr defektet qe i ka cekur kushtetuesja dhe ministri Sveçla na premtoi që me të hequr këto defekte në pjesën e dytë të këtij ligji do të ftohen edhe sindikatat dhe na premtoi se versioni final nuk do të shkoj në Qeveri për t’u votuar pa u bërë bashkëbiseda dhe angazhimet me sindikatat”.

Por, pavarësisht kësaj ai bën të ditur se do të vazhdojnë me veprime sindikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme në muajin janar.

“Nesër do ta mbajmë një takim online me kryetar dhe ata që do ta thonë fjalën e fundit. Problem tjetër na doli sepse masat e reja po kufizojnë numrin e pjesëmarrësve qoftë edhe në ambiente të hapura dhe kjo e keqëson situatën dhe mbase kryetarët do të mendojnë për një ide tjetër të cilën nuk e dëshirojmë e që është greva”, deklaroi ai.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore