Lajme

Janjiç: Termi “vetëmenaxhim” serbisht përkthehet si “vetëqeverisje”


Dushan Janjiç

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç, në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, ka komentuar nenin 7 të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky nen kërkon nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen “për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, për zbatimin e të cilit shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se do të nisin angazhimet menjëherë.

Janjiç tha se në praktikën e mbrojtjes së pakicave në të drejtën publike ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për pakica dhe komunitete lokale, ekziston termi “vetëmenaxhim” (në anglisht: self-management) dhe vetadministrim (në anglisht: self-administration), porse sipas tij në gjuhën serbe këto përkthehen si “vetëqeverisje”.

Ai shprehu bindjen se në Marrëveshje është ndërlidhur çështja e decentralizimit të komunave, e cila është paraparë me Planin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës në vitin 2008.

Marrë parasysh se Serbia nuk e ka pranuar këtë dokument, tha ai, marrëveshjet në Bruksel nuk e kanë trajtuar autonominë kulturore, gjuhësore dhe të sferave të tjera të pakicave. Këto çështje tash, sipas tij, janë inkorporuar në termin “vetëmenaxhim i komunitetit serb”.

“Ne jemi në rrugë të mirë që të krijohet një mekanizëm mbrojtës apo, siç e quajnë disa të tjerë, ‘autonomi e pakicës’… Në esencë, kjo nënkupton që nuk ka kompetenca ekzekutive. Opinioni ndërkombëtar këtë nuk e di, por me decentralizimin në Kosovë, kryetarët e komunave janë ‘zotët’ e vegjël”, thotë Janjiç për REL.

Janjiç shtoi se termi “vetëmenaxhim” do të duhej të definohej saktë në tekstin e marrëveshjes përfundimtare, që duhet të dalë nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, ky proces do të jetë i gjatë, por, siç shtoi ai, në rast se “vetëmenaxhimi për komunitetin serb” do të nënkuptojë “autonomi për komunitetin pakicë”, atëherë askush, përfshirë edhe Serbinë, nuk do të mund ta shantazhonte Kosovën për të drejtat e komunitetit serb.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kryeministri Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore