Kosova

Janjiç kërkon nga BE-ja “qasje më serioze” në dialog: Fillimisht të merret vesh me pesë shtetet mos-njohëse


Dushan Janjiç

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç, në një prononcim për “Radio Evropën e Lirë”, ka vlerësuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) nuk do të varet në veçanti vetëm nga këto dy vende.

Ai ka konsideruar se BE-ja nuk ka treguar seriozitet në qasjen e saj ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, ndërsa argumentin e tij e ka ndërtuar mbi bazën se pesë vende brenda BE-së – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja – nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

“Në qoftë se ata janë seriozë në çfarëdo qoftë dhe në vendosjen e përparësive të tyre, së pari, Komisioni Evropian, duhet të merren vesh me ato pesë shtete. Pra: ‘A e pranojmë ne Kosovën si shtet dhe shoqëri demokratike, sipas parimeve të vitit 1990’? Pse nuk po e bëjnë këtë?”.

BE-ja si institucion dhe pesë vendet mos-njohëse në vecanti ishin zotuar se pas arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, do të ndryshonte edhe qëndrimi ndaj Kosovës, por edhe pse marrëveshja erdhi në njëfarë forme, nuk ka asnjë lëvizje drejt njohjes së Kosovës.

Ndryshe, më 14 shtator (e enjte) në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e BE-së, ka njoftuar të enjten Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media në Spanjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore