Shqipëria

Janari 2024 me 30% më shumë turistë se një vit më parë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook ka shfaqur shifrat premtuese të turizmit shqiptar për këtë fillimviti.

“Janari i thuajse 1/2 milionë turistëve lajmëron një vit fantastik për Shqipërinë Turistike”, ka ravijëzuar ai në krye të postimit.

Ndërkohë, ka dalluar se, krahasuar me janarin e vitit 2023, ka pasur 30 për qind më shumë flukse vizitorësh në vend.

Kjo, teksa “shtohet pesha e vizitorëve nga disa vende të mëdha në hartën e prurjeve turistike”.

Mbi 489 mijë vizitorë të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë muajit janar, duke dhënë “një sinjal të fortë për bumin e sezonit të ri turistik me një rritje rekord turistësh”.

Kështu ka thënë më herët Rama duke theksuar se kjo “afirmon faktin se tanimë Shqipëria nuk ndalet në rritjen e saj si një forcë e re në turizmin mesdhetar”.

“Më shumë të ardhura, punësim, investime, biznes, ekonomi falë turizmit dhe gjithnjë e më shumë një Shqipëri krenare në skenën ndërkombëtare edhe falë turizmit”.

Shqipëria, ka mirëpritur 10 milionë turistë të huaj në vend gjatë 2023-shit, e para herë në historinë 111-vjeçare te shtetit.

Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve në Evropë e rendit Aeroportin e Tiranës “Nënë Tereza” në një ndër pesë aeroportet që kanë regjistruar rritjen më të lartë të trafikut të pasagjerëve.

Kjo, krahasuar periudhën para pandemisë, referuar tetorit të vitit 2019, kur fluturimet nuk i njihnin ende kufizimet.

Aeroporti duket se ka shënuar një rritje prej 134 për qind të trafikut të pasagjerëve, deri në tetor të këtij viti. Deri në javën e parë të dhjetorit, Autoriteti i Aviacionit Civil raporton se janë regjistruar mbi 6 milionë e 730 mijë pasagjerë.

Ndërkohë, në raport theksohet se performancat më të mira dhe shifrat më të larta vijnë nga aeroportet e tregjeve në zhvillim të aviacionit si dhe nga stimulimi i transportit ajror me kosto të ulët ku bën pjesë tashmë edhe Shqipëria.

Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë ky vrull i vazhdueshëm i trafikut ajror ka nxjerrë në pah aeroportet të cilët po fuqizohen gjithnjë e më shumë sa i përket fluksit të pasagjerëve, siç është edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.

Gjithashtu Shqipëria është renditur e treta në Barometrin Botëror të Turizmit për periudhën janar-shtator 2023, sa i takon rritjes së numrit të turistëve.

Rritja sipas statistikave është me 49%. Para saj renditen Katari dhe Arabia Saudite, respektivisht me 91% dhe 50% rritje.

Edhe në publikimin për periudhën janar-korrik, të barometrit botëror të turizmit, Shqipëria renditej e treta në botë dhe e para në Evropë për rritjen e fluksit të vizitorëve të huaj (+56%).

Ndërsa, gjigandi i udhëtimeve “National Geographic” e ka renditur Shqipërinë në mesin e 30 vendeve të botës që duhen vizituar në vitin 2024.

Vendi përjetoi një bum turistik këtë vit, pasi u promovua gjerësisht në mediat ndërkombëtare si një destinacion që ia vlen të vizitohet për bukuritë natyrore, mikpritjen dhe kostot e arsyeshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore