Sport

James Rodriguez pritet të transferohet në Premier Leauge


Ish-futbollisti i Real Madrid-it, James Rodriguez, pritet të transferohet në kampionatin anglez, Premier Leauge.

Sipas asaj që shkruan “Sky Sports” skuadra e Crystal Palace ka shfaqur interesim për ta transferuar mesfushorin kolumbian.

Rodriguez mund t’i bashkohet qysh menjëherë skuadrës angleze, pasi që aktualisht është lojtar i lirë, që kur e shkëputi kontratën me Olympiacos-in.

Crystal Palace thuhet se janë të gatshëm t’ia ofrojnë 31-vjeçarit një kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër.

Crystal Palace tani veç se e ka siguruar qëndrimin në Premier Leauge edhe për sezonin e ardhshëm, andaj për James-in do të ishte një rikthim në një ligë të fortë të futbollit në botë.

Kujtojmë që kolumbiani i kishte arritur majat e suksesit rreth vitit 2013, kur fillimisht Monaco e bleu nga Porto për 45 milionë euro, pastaj një vit më vonë ata e shitën për 75 milionë euro te Real Madrid-i.

Me fanellën e Real-it, James numëron 125 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar 37 gola dhe ka dhuruar 42 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore