Lajme

“Ja ne s’dimë gjë” – Prokuroria ka lëshuar njoftim zyrtar për aktakuzë ndaj dy drejtorëve në Deçan, por në Komunë thonë që s’kanë pranuar njoftim


Ndërtesa e Komunës së Deçanit

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Ramë Melajt, Drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Deçanit dhe kundër Halil Tolajt, Drejtor i Inspektoratit në këtë komunë, por Tolaj thotë për Albanian Post se ai ende nuk ka pranuar asnjë komunikim zyrtar nga shteti se është i përfshirë në çfarëdo aktakuze.

“Unë nuk kom pranuar asgjë zyrtare dhe nuk di për çfarë po flitet”, deklaroi ai, duke shtuar se “përderisa nuk kam pranuar asgjë nga prokuroria, nga kanalet zyrtare, nuk mund të flas vetëm se mediat po raportojnë diçka të tillë”.

I sfiduar se tashmë janë publikuar edhe detaje nga aktakuza që rëndon mbi të e drejtorin Melaj, bashkë edhe me një zyrtar tjetër, për disa leje të lëshuara kundërligjshëm, Tolaj u përsëritë se “kjo është veç çfarë mediat po raportojnë”.

“Ata me siguri diçka duhet të shkruajnë, ne absolut nuk kemi pranuar asgjë prej prokurorisë, nuk i  interpretoj shkrimet e gazetave”, ka shtuar ai.

Kurse drejtori Melaj nuk e ka hapur fare telefonin.

Bashkim Ramosaj

Albanian Post, ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për të pyetur rreth masë ndaj zyrtarëve të cilët tashmë kanë aktakuzë të ngritur për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mirëpo i njëjti, sikurse Tolaj, ka deklaruar se “nuk ka pranuar asgjë zyrtare” dhe se lidhur me këtë është njoftuar vetëm nëpërmjet lajmeve të publikuara nëpër portale.

“Ne ende nuk jemi të informuar, as drejtorët nuk kanë asnjë informatë zyrtare, krejt informatat i kemi marrë përmes portaleve”.

Ramosajt, i është bërë e ditur se raportimi i mediave është i bazuar në një komunikuat zyrtare për media e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, por i njëjti ka deklaruar se “nuk ka parë asgjë lidhur me këtë njoftim”.

Megjithatë, pretendimet e kryetarit të Komunës së Deçanit dhe Drejtorit të Inspektoratit i ka hedhur poshtë zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili në një prononcim për Albanian Post, ka njoftuar se tashmë Prokuroria në fjalë ka ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Deçanit.

“Prokuroria Themelore e ngrit aktakuzën dhe e dërgon në Gjykatë, kështu që Gjykata njofton të akuzuarit. E rëndësishme është që Prokuroria ka lëshuar njoftim zyrtar”, ka thënë Nikçi për AP.

Shkodran Nikçi

Albanian Post mëson se aktakuza ka të bëjë me disa objekte të cilave u është lëshuar leja kundërligjshme.

Mësohet se bëhet fjalë për së paku tri objekte të cilat ose janë ndërtuar kundërligjshëm, ose kanë shtuar kate ndërtimi përtej planit urbanistik, apo janë punuar me materiale të palejueshme për vendet që janë ndërtuar.

Një nga këto objekte është një ndërtesë afër Postës në Deçan, ku ndërtuesi, me sa kuptohet, me dijeninë e drejtorit të Komunës, ka ndërtuar edhe 2-3 kate përtej lejes fillestare.

Më pas, është një tjetër objekt, i cili është ndërtuar në një zonë e cila konsiderohet park nacional, por që ndryshe nga sa lejohet, objekti është ngritur me materiale të forta.

Po ashtu, mësohet se është edhe një objekt tjetër që është ndërtuar në një zonë të bjeshkëve me material të fort, si synim për t’u shfrytëzuar më pas si restorant.

Për të gjitha këto, prokuroria dyshon se drejtorët e Komunës kanë qenë në dijeni, por nuk kanë marrë masat e duhura, ose janë përfshirë ilegalisht duke bashkëpunuar me ndërtuesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore