Lajme

Izraeli lehtëson masat për udhëtimet në Turqi


Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Izraelit më 28 qershor ka lehtësuar masat e udhëtimit për në Stamboll, pasi qeveria tha se komplotet iraniane të vrasjes që synonin izraelitët në qytet ishin penguar.

“Do të doja t’i falënderoja forcat tona të sigurisë së bashku me forcat turke të sigurisë, të cilat gjatë muajve dhe javëve të fundit vepruan për të parandaluar sulmet ndaj izraelitëve në Stamboll dhe Turqi”, tha kryeministri izraelit Naftali Bennett, në një deklaratë.

Më 13 qershor Izraeli u kishte kërkuar qytetarëve të tij që të largoheshin menjëherë nga Stambolli për shkak të “rrezikut real dhe të menjëhershëm” që vinte nga operativët iranianë, duke e ngritur alarmin e udhëtimit në qytetin turk në masën maksimale.

Një varg raportesh dhanë detaje të agjentëve iranianë që vendoseshin për të shënjestruar turistët izraelitë dhe autoritetet turke që arrestonin njerëz të përfshirë në komplote.

Kryeministri i Izraelit Naftali Bennett

Të enjten, Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid, vizitoi Ankaranë, duke falënderuar Turqinë për “aktivitetin e saj profesional dhe të koordinuar” në parandalimin e sulmeve.

Irani, ndërkohë, i hodhi poshtë akuzat e Izraelit duke i konsideruar si “qesharake”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Iraniane, Saeed Khatibzadeh, tha se ato ishin “pjesë e një komploti të para-projektuar për të shkatërruar marrëdhëniet midis dy vendeve myslimane”.

Irani dhe Izraeli kanë qenë të përfshirë në një luftë hije shumëvjeçare, por tensionet janë rritur pas një sërë incidentesh të profilit të lartë që Teherani ka fajësuar Izraelin.

“Veprimet tona ishin të suksesshme dhe siguruan jetën e shumë njerëzve, ne po i rikthehemi gradualisht rutinës”, tha Bennett, duke falënderuar presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan “dhe popullin e tij për bashkëpunimin e tyre në pengimin e sulmeve ndaj izraelitëve në Turqi”.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Izraelit paralajmëroi se “motivimi iranian është ende i lartë”.

Ai vlerësoi se kishte “ende përpjekje për të ndërtuar infrastruktura” dhe “për të lokalizuar objektivat e mundshëm izraelitë dhe hebrenj”, duke u bërë thirrje izraelitëve që “të shmangin udhëtimet jo thelbësore në Turqi”.

Marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin janë përmirësuar pas vitesh tensionesh dhe turizmi është thelbësor për lidhjet ekonomike të dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore