Lajme

Izetbegoviç: Vuçiç po ikë nga e vërteta, po i amiston kriminelët


Kryetari i Partisë për Veprim Demokraik(SDA), Bakir Izetbegoviç e ka cilësuar si veprim ‘të matur’ të Malit të Zi miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin në Serbrenicës, dhe ka hedhur kritika ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për fshehjen e krimeve të bëra nga regjimi i atëhershëm serb gjatë viteve të 90-a.

Parlamenti i Malit të Zi, të martën ka votuar rezolutën që dënon gjenocidin ndaj 8000 boshnjakëve në Serbrenicës, gjë që presidenti serb Vuçiç e ka cilësuar si një synim për të imponuar fajësi kolektive në Serbi dhe tek serbët.

“Është guxim të shikosh pas shpinës, të shikohesh në pasqyrë, dhe të pranosh se ke bërë mëkate dhe gabime. Me këtë qëndrim malazezët, sikurse edhe kombet e mëdha evropiane, kanë treguar se janë gati të mohojnë keqkuptimet historike, dhe krejt kjo bazuar në të vërtetën – pa marrë parasysh sa e rëndë ajo mund të ketë qenë – ata po ndërtojnë marrëdhëniet e reja për të ardhmen”, ka shkruar Izetbegoviç.

Ai po ashtu ka përmendur se Mali i Zi në kohën e Millosheviçit ishte përfshirë në “agresion kundër Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në të këqijat që janë bërë në të gjithë Ballkanin”.

Udhëheqësi i partisë kryesore boshnjake SDA-së, ka thënë edhe se Vuçiçi po i mënjanon përgjegjësitë që bien mbi të për pranimin e krimeve të bëra në të kaluarën.

“Edhe pse gjykatat ndërkombëtare kanë përcaktuar fajësinë e individëve dhe përgjegjësinë e sistemit të mishëruar në regjimin e Milosheviçit dhe Karaxhiçit, Vuçiç ka dashur me ngulm t’ia vë fajin gjithë popullit serb për vite me radhë, duke dashur qartë t’i amnestojë kriminelët nga ai popull dhe sistemi që i ka prodhuar. Kjo është një pyetje për të cilën serbët dhe Serbia do të duhet të përgjigjen”, përfundon Izetbegoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore