Lajme

Itali: Luftoi COVID-19 me vitaminë D – përfundon në spital nga mbidoza


Një pesëdhjetë vjeçar italian nga Padova është bërë dëshmitar i asaj se çfarë ndodh kur ke mungesë informacioni.

Si një mbështetës anti-vaksinë, ai kishte konsumuar aq shumë vitaminë D sa kaloi në mbidozë duke rrezikuar edhe jetën.

Protagonisti i kësaj ngjarjeje përfundoi në terapi intensive në spitalin Sant’Antonio të Padova-s.

Ai është ende gjallë për shkak të përpjekjeve të ekipit mjekësor, me në krye profesor Lorenzo Calo, drejtor i Nefrologjisë.

Profesori dhe mjeku italian, Lorenzo Calo

Normalisht një pacienti i rekomandohet të marrë rreth 100 mijë njësi çdo 14 ditë.

Shtetasi italian ka administruar rreth 200 mijë njësi çdo ditë, afërsisht dy shishe çdo 24 orë.

Testet zbuluan praninë e vitaminës D një mijë herë mbi normën.

Pas trajtimit në pavion, pacienti u transferua në terapi intensive ku iu nënshtrua dializës, e cila zgjati rreth 24 orë.

Kjo e fundit, sipas mjekëve, shërben për pastrimin e gjakut dhe uljen e nivelit të kalciumit.

Mjekimi funksionoi dhe personi doli nga reanimacioni, megjithatë gjendja e tij shëndetësore është ende shqetësuese për mjekët.

“Ne jemi mjekë dhe trajtojmë këdo”, shpjegon profesor për italianen ‘Corriere’, “qoftë ata pro apo personat kundër vaksinave”.

Calo këshillon cilindo se duhet të konsultoheni gjithmonë me mjekun e familjes përpara se të administroni ndonjë ilaç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore