Lajme

Ish-ministrat që u morën me procesin e liberalizimit të vizave – “Saga përfundoi, e rëndësishme që Kosova po ec përpara pa viza”


Meliza Haradinaj, Bekim Collaku

Liria që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në zonën Shengen u vendos këtë të martë nga Parlamenti Evropian, përfundimisht.

Por deri tek kjo ditë, shumë qeveri dhe shumë ministra të Kosovës, kishin kontribuar për të plotësuar kriteret që BE i kishte vënë Kosovës për të mos pasur më viza gjatë lëvizjes në evropë.

Historia e Kosovës në negociata me BE-në për liberalizimin e vizave ka zgjatur më shumë se një dekadë.

Negociatat për liberalizim filluan në vitin 2012. Më 19 janar të këtij viti Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Cecilia Malmstrom, pati vizituar Kosovën, me ç’rast paraqiti planin për dialog mbi liberalizimin e vizave.

Që atëherë, Kosovës i janë vendosur kritere të ndryshme, të cilat gjatë rrugës ndryshonin, por jo edhe qëndrimi i BE-së për mos heqjen e vizave për kosovarët.

Meliza Haradinaj-Stublla, e cila shërbeu si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diplomacinë nga viti 2020 deri më 2021, në qeverinë e Avdullah Hotit, ka thënë për Albanian Post se vendimi i Parlamentit Evropian për t’ia hequr Kosovës vizat është lajm shumë i mirë për qytetarët dhe “e rëndësishme në këtë proces është ecja përpara e qytetarëve e jo e politikanëve individualisht”.

“Padyshim lajm i mirë për qytetarët, por edhe për Republikën e Kosovës në përgjithësi, si një vend që rrugëtimin evropian e ka pasur të pa alternativë”, deklaroi ish-ministrja.

“Kontributi i gjithsecilit për Kosovën në këtë aspekt është kurorëzuar me sukses sot, prandaj e rëndësishme është ecja përpara e Kosovës dhe qytetareve te saj, e jo politikanet individual”, përfundon ajo.

Meliza Haradinaj-Stublla, ish-ministre e Punëve të Jashtme dhe Diplomacisë në Kosovë

Para Haradinaj-Stubllës, Bekim Çollaku si Ministër i Integrimit Europian, pati rolin e kryenegociatorit të Kosovës në bisedimet me Komisionin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim dhe Asoccimit.

Pas aprovimit të MSA-së nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 22 tetor 2015 në Luksemburg, Çollaku në emër të Kosovës nënshkroi MSA-në në Zyrën e përfaqësueses së lartë, Federica Mogherini në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë më 27 tetor 2015.

Sa herë të kërkosh në internet për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, është e pamundur të mos paraqitet një fotografi Çollakut, i cili shihet duke hapur një shampanjë, kur Komisioni Evropian e kishte dhënë rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave.

Bekim Çollaku, ish-ministër i Integrimeve Evropiane

“Urime juve dhe qytetarëve se na si zyrtarë dhe si ministra kena pas viza gjithë, e s’e kemi pas problem, por më në fund e zgjidhëm problemin e qytetarëve të zakonshëm”, kishte deklaruar Çollaku në maj të vitit 2016, i entuziazmuar dhe i rrethuar nga stafi i kabinetit të tij.

Edhe sot, Çollaku është po kaq entuziast.

“Saga e liberalizimit të vizave për Kosovën po përfundon”, ka thënë Çollaku në një prononcim për Albanian Post.

Natyrisht që ky është një lajm pozitiv, thotë ai, por ky rrugëtim dhe përvoja e shtetit të Kosovës në këtë proces “do të mbetet një dëshmi tjetër e diskriminimit të qytetarëve tanë nga ana e BE-së”.

“Kosova mbetet rasti i vetëm kur komisioni evropian kishte dhënë rekomandimin për liberalizim të vizave në vitin 2016, ndërsa Këshilli i BE-së kishte refuzuar të merrte vendimin mbështetës”, kujton Çollaku momentin e tij të festës së shampanjës.

“Për më tepër, mjafton të kujtojmë faktin se shtetet fqinje e kanë fituar këtë të drejtë para 13 viteve, për të kuptuar padrejtësinë e madhe që i është bërë Kosovës”, shprehet Çollaku.

Edhe pse i vonuar, ish-ministri i Integrimeve të Kosovës, thotë se është mëse i mirëseardhur, sepse për të meritë kanë të gjitha institucionet e Kosovës duke punuar në përmbushjen e kushtet dhe kriteret që parashtronte BE, gjatë negociatave.

Ai ka theksuar se Kosova i kishte përmbushur kushtet për liberalizim të vizave që në vitin 2016, por rezultatin e asaj pune të madhe, qytetarët po e gëzojnë me disa vite vonesë.

“Është rezultat i punës së të gjitha institucioneve të Kosovës të cilat i kanë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara në vitin 2016. Rezultatet e asaj pune, qytetarët pritet ti gëzojnë shtatë vite me vonesë për shkak të trajtimit jo fer nga ana e BE-së. Prandaj, meritorë janë të gjithë ata që kanë punuar në plotësimin e kritereve, dhe qytetarët për durimin e tyre”, përfundon Bekim Çollaku për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore