Gjykata Speciale

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë: Kosova gaboi me qasjen ndaj raportit të Dick Martyt


Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, në një intervistë për Kanal 10 është shprehur se Gjykata Speciale ishte një dhuratë për Serbinë, dhe se Qeveria e Kosovës gaboi me qasjen ndaj raportit të Dick Martyt.

“Mendoj se qeveria e Kosovës gaboi, sepse duhet të kishte thënë, ky është një raport i tmerrshëm, nuk është i vërtetë dhe ne duhet vetë ta hetojmë. UNMIK-u tashmë kishte hetuar dhe kishte thënë që nuk ka pasur asgjë këtu për të hetuar”, tha ai.

Tutje, i pyetur për arsyet e themelimit të Gjykatës Speciale, diplomati holandez tha se akuzat për trafikim organesh dhe presioni nga Serbia ishin shkas.

“U bë me Kosovën për shkak se akuza për trafikim organesh ishte një ndjenjë e tmerrshme, dhe natyrisht presioni nga Serbia, ishte një dhuratë për Serbinë”.

Ndërkaq, Bosch tha se aryesja kryesore që u krijua kjo Gjykatë ka rënë, dhe nuk është pjesë e aktakuzës tani.

“Çka doli ishte që trafikimi i organeve nuk ishte i vërtetë, çka edhe ishte arsyeja e krijimit të gjykatës”.

Ndërsa, ish-ambasadori beson se është dashur që të kundërshtohet kjo akuzë, paçka se thotë se mund të ketë pasur krime të tjera, por që sipas tij për këtë nuk ka qenë e nevojshe një Gjykatë Ndërkombëtare.

“Atëherë është dashur të themi që kjo nuk është e vërtetë, ndoshta ka krime të tjera, por nuk nevojitet një gjykatë ndërkombëtare sepse këto gjëra ndodhin në një situatë të një lufte guerile kundër një shteti të vërtetë (Serbia)”.

Ndërsa, ai nënvizoi se UÇK-ja nuk kishte ndonjë strukturë të rreptë, dhe shtoi se aktakuza për krerët e UÇK-së thotë se udhëheqësit e UÇK-së po gjykohen për shkak veprimeve të të tjerëve në emër të tyre, por vlerëson se vrasjet mund të kenë ndodhur për arsye personale dhe jo si të urdhëruar nga dikush.

“Në aktakuzë janë akuzuar sepse ishin liderë të UÇK-së, të cilët mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë njerëzit në emër të tyre. Reagimi i Thaçit është i logjikshëm, që thotë se është i pafajshëm, ka të drejtë. Kishte strukturë, por nuk ishte aq e rreptë. Dikush p.sh në terren ka vrarë dikënd për hakmarrje, atëherë nuk ka pasur urdhër nga Thaçi apo (Rexhep) Selimi për ta bërë këtë. Edhe komunikimi ishte i vështirë në atë kohë”, tha ai.

Po ashtu, Bosch bënë një analogji në mes të njerëzve që Prokuroria Speciale pretendon se janë vrarë dhe në mes të numrit të atyre që janë vrarë gjatë luftës në Kosovë.

“Prokuroria thotë që i kanë 100 raste, ku thonë që kanë dëshmi për raste të paligjshme, por në anën tjetër janë vrarë 12 mijë deri në 16 mijë njerëz në këtë lufte. Pse te kemi një gjykatë për 100 njerëz kur janë vrarë 16 mijë”.

Ndërkaq, ai tregoi një bisedë personale me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është njëri nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale, të cilit potencon se i ka thënë “nëse kjo Gjykatë është serioze, të gjithë do të lirohen për shkak të dëshmive që i janë ofruar.

“Të gjitha dëshmitë janë dhënë nga (Milovan) Dreçuni për Martyn, atëherë kjo do të thotë se kjo vjen nga Serbia, dhe Marty e ka besuar këtë”.

Ndryshe, të martën ka përfunduar seanca e dytë e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, kanë paraqitur provat e tyre kundër Prokurorisë së Specializuar për akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi klientët e tyre.

Fjalën hyrëse e dhanë para trupit gjykues avokatët Gregory Kehoe, Luka Mishetiç, Ben Emmerson dhe Geoffrey Roberts, ndërsa Thaçi dhe Selimi zgjodhën që t’i thonin disa fjalë edhe vetë para trupit gjykues.

Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë ka sfiduar Prokurorinë e Specializuar të gjejë lidhjen mes një veprimi të kryer nga dikush që është thirrur në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe urdhrit të dhënë nga Thaçi si udhëheqës i UÇK-së.

 

Përfundon seanca e dytë në Speciale – vazhdon të mërkurën me deklaratën hyrëse të mbrojtës së Krasniqit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore